Rrugët e Albert Veliut për shitje të armëve, drogës dhe pastrimin e parave

Prishtinë | 30 Qer 2017 | 19:09 | Nga

Një vozitës i Konsullatës së Kosovës në New York po përballet me akuzat për trafikim armësh, drogës dhe pastrim të parave.

Detyra e përditshme e Albert Veliut ishte si një punëtor i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, për ta vozitur Konsullen e Përgjithshme të Kosovës, Teuta Sahatqija nëpër trafikun e ngarkuar të New York-ut.

Megjithatë, sipas akuzave të ngritura ndaj tij nga një gjykatë në Bruklin të martën, ai gjithashtu drejtoi një operacion fitimprurës si diler armësh, drogës dhe pastrues parash përderisa mbante lidhje me ‘Cosa Nostra’-n dhe figura shqiptare të krimit të organizuar në New York dhe Çeki.

Si pjesë e një hetimi të njësitit amerikan kundër drogës, DEA, Veliu dyshohet t’ia ketë shitur një agjenti të infiltruar një AK-47 dhe një raketahedhës ‘Zolë’ të prodhimit jugosllav.

Ai i kishte dërguar armët gjatë një udhëtimi në Kosovë më herët gjatë këtij muaji para se të kthehej në New York më 21 qershor prej nga e drejtoi operacionin. Më 27 qershor, katër nga bashkëpunëtorët e tij janë arrestuar në Klinë, qytet në perëndim të Kosovës, me armë, përderisa Veliu dhe pesë të tjerë u arrestuan në New York.

Veliut i kishin thënë se karteleve meksikane të drogës u duheshin armët për ta bërë një luftë për drogën afër kufirit me Amerikën.

34 vjeçari gjithashtu dyshohet t’i ketë pastruar 800 mijë dollarë amerikanë që dyshohet të jenë fituar nga droga nëpërmjet një serie të kompanive me ndihmën e bashkëpunëtorëve, përfshirë edhe vëllain e tij, Albanin.

Alban Veliu, Dilber Kukic, Ekram Sejdija, Xhevat Gocaj dhe Agim Rugova gjithashtu akuzohen për pastrim parash.

Në një seri të takimeve të përgjuara me agjentë të DEA, Veliu mburrej se ishte kushëri i Aleks Rudaj, një lider i njohur shqiptar i krimit të organizuar në New York, sipas aktakuzës së siguruar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN.

Në vitin 2006, Rudaj ishte gjykuar për haraç dhe ishte dënuar me 27 vjet burg në SHBA.

Veliu gjithashtu tha se vjehrri i tij ishte “lider i një fraksioni shqiptar të krimit të organizuar në Republikën e Çekisë”, duke shtuar se ai ishte “i interesuar që të transportojë sasi të mëdha të parave të gatshme në Çeki dhe shtetet tjera të Evropës Lindore për t’i shpëlarë sërish në Amerikë”.

BIRN nuk ishte në gjendje ta identifikojë vjehrrin e tij.

Veliu dhe një i pandehur tjetër, Kristofer Curanovic, një bashkëpunëtor i ‘Cosa Nostra’ janë të dyshuar gjithashtu se kanë bërë marrëveshjen për shitjen e rreth 2 kilogramëve marihuanë te një burim konfidencial i DEA-s.

Anthony Noterile, një bashkëpunëtor tjetër i grupit italian të gangsterëve, është i akuzuar për shpëlarje të parave.

Fitim Sadiku, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, konfirmoi të mërkurën se Veliu ishte i punësuar si “vozitës në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York”.

“Ai ka qenë vozitës për një kohë por nuk e dimë ende se sa kohë”, tha Sadiku dje për KALLXO.com.

Të akuzuarit duhet të dalin para gjykatës për t’i dëgjuar akuzat.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme