Rrugët si “arenë gladiatorësh”, Ligji i ri vetëdijeson shoferët

Prishtinë | 04 Tet 2016 | 09:00 | Nga Resmije Ballazhi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Numri i madh i aksidenteve në komunikacionin rrugor që shkaktohen nga faktorë të ndryshëm, lënë për pasojë një numër të madh të viktimave dhe dëmeve tjera.

Sipas të dhënave të Policisë, nga viti 2002, në aksidente të trafikut rrugor, kanë humbur jetën 2 118 persona, ndërsa kanë ndodhur 225 571 aksidente. Këto shifra konsiderohen alarmante nga Policia dhe nga ekspertët e sigurisë.

Mbi 70 persona kanë humbur jetën në aksidentet në komunikacion vetëm gjatë tetë muajve të fundit. Në periudhën janar-gusht të vitit 2016, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, kanë ndodhur gjithsej 12 776 aksidente në trafikun rrugor, me fatalitet kanë qenë 65 aksidente, ndërsa kanë humbur jetën 71 persona.

Kurse, nga 1 shtatori deri më 22 shtator kanë humbur jetën 7 persona, që krahasuar me muajin shtator të vitit të kaluar kanë humbur jetën 23 persona. Ndërkaq, gjatë vitit 2015 kanë ndodhur gjithsej 17 722 aksidente në trafikun rrugor. Prej tyre me fatalitet kanë qenë 117 aksidente, ndërsa kanë humbur jetën 129 persona.

Numri i madh i aksidenteve po shkaktohet nga faktorë të ndryshëm, por një pjesë e madhe e tyre po ndodhin si pasojë e gjendjes së keqe teknike të automjeteve. Vlerësohet nga publikime të ndryshme se aksidentet ndodhin për disa faktorë, por më kryesori faktori njeri ngasësi-këmbësori, gjendja teknike e automjetit, infrastruktura rrugore, faktorët klimatikë dhe faktorët tjerë, kështu theksohet në hulumtime të ndryshme.

Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili gjatë muajit shtator ka hyrë në fuqi ka paraparë gjoba mjaft të larta për shoferët që bëjnë shkelje në komunikacion. Me ligjin e ri gjobat për shkelje të rregullave të komunikacionit shkojnë deri në 900 euro. Në mungesë të patentë shoferit gjatë vozitjes një pjesëmarrës në komunikacion do të dënohet me nga 200 deri në 1 500 euro.

Gjithashtu edhe nëse shpejtësia e lëvizjes brenda zonës urbane lëviz me mjet me shpejtësi mbi pesëdhjetë (50) km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme, atëherë dënohet për “Kundërvajtje” me gjobë prej 300 deri në 900 euro, ku përveç gjobës atij i shqiptohet masa mbrojtëse “Ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik” në kohëzgjatje prej së paku një (1) viti, si dhe i shqiptohen pesë (5) pikë negative.

Ndërkaq për këmbësorët që kalojnë rrugën jashtë vendkalimeve ku nuk është e lejuar, atëherë dënimi do të jetë 20 euro.

Kusari: Vetëdijesimi i shoferëve s’është vetëm patentëshoferi

njazi-tempulli

Njohësit e çështjeve të komunikacionit vlerësojnë se Ligji për Rregullat e Komunikacionit Rrugor, është dashur të hyjë në fuqi më herët, për arsye se vozitësit, do të vetëdijesohen dhe do të zvogëlohet numri i aksidenteve me fatalitet dhe me lëndime.

Trajneri i ngasjes së sigurt dhe ekologjike, në Kolegjin Universitar “Tempulli”, Njazi Kusari, ka thënë për Ekonomia Online, se ligji është dashur të hyjë në fuçi qysh moti, ngase sipas tij, rrugët tona po i përngjajnë më tepër një arene gladiatorësh, “jemi dëshmitarë të shumë ngjarjeve të aksidenteve me fatalitete, fatkeqësi me lëndime të lehta apo të rënda.

Ai vlerëson se dënimet nuk janë të larta.

“Ballkanasit, nuk vetëdijesohen pos në rast se ia zbrazni gjepin. Jam dëshmitar i një risie shumë të madhe, pasi që u aplikua ky ligj dhe erdhi radha me udhëtuar natën me një distancë gjatësore nëpër territorin e Kosovës dhe nuk mund ta paramendoni çfarë vetëdijesimi shoferëve, ishte kënaqësi e madhe t’i ngisni mjetit në atë disiplinë. Mirëpo, unë mendoj që ne duhet të vetëdijesohemi. Vetëdijesimi i shoferëve nuk është vetëm patentë shoferi, vetëdijesimi, kultura, toleranca duhet të rrjedhë prej familjes, ajo mandej vazhdon në shkollim edhe pastaj me patentë shofer”, thotë ai.

Ligji i ri, besoj shumë se do ti vetëdijesojë vozitësit. Mirëpo, organet gjegjëse të cilat vazhdojnë të monitorojnë trafikun duhet të jenë prezentë më tepër. Një ndër faktorët të fatkeqësive janë shpejtësia e lëvizjes, pastaj janë rrugët, mjetet, dhe të fillojnë të monitorojnë të gjitha këto rrugë”, shprehet ai.

Gjobat e larta frikësojnë shoferët

Ndërkaq, Ismet Selimi, qytetar i Prishtinës, vlerëson se gjobat për shkelësit e rregullave të komunikacionit janë të papërballueshme për qytetarët, mirëpo beson se me këtë ligj do të vetëdijesohen vozitësit.

“Ky ligj e ka edhe anën pozitive, sepse shoferët i zvogëlojnë shpejtësinë, i respektojnë rregullat e sidomos ata të cilat i kanë marrë patentë shoferët pas lufte, ata s’kanë lidhje me vozitje. Ndoshta frikësohen nga këto gjoba. Unë mendoj se do të vetëdijesohen qytetarët, sepse edhe unë jam vetëdijesuar ngase tash po e vë rrypinë e sigurisë edhe unë”, theksoi ai.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se Policia e Kosovës, është e përkushtuar në garantimin e një sigurie të përgjithshme në komunikacionin rrugor.

daut-hoxha

“Me fillimin e implementimit të ligjit të ri në komunikacionin rrugor, Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operacionale për të garantuar një siguri të zbatimit të këtij ligji në përpikëri”, tha ai.

Sipas Hoxhës, vetëm për 24 orët e fundit kanë ndodhur rreth 44 aksidente.

“Vetëm për 24 orët e fundit në policinë e Kosovës janë regjistruar 44 aksidente të trafikut prej tyre me të lënduar janë 18 ndërsa 25 aksidente janë pa lëndime por vetëm me dëme materiale. Kurse tiketat e trafikut gjatë kësaj periudhe 24 orësh kemi 808 tiketa të trafikut për kundërvajtje të ndryshme”, theksoi  ai.

Hoxha njofton se vetëm për gjashtë mujorin e kaluar, prej janarit e deri në gusht janë regjistruar 65 aksidente fatale me 71 persona të vdekur, kurse 4 208 aksidente, kurse 8 292 persona janë lënduar, ndërkaq aksidente me dëme material janë 8 503 sosh. Tiketa të shqiptuara gjatë kësaj periudhe janë 12 776.

Qëllimi i Ligjit të për Rregullat e Trafikut Rrugor thuhet të jetë rritja e sigurisë në trafikun rrugor, zhvillimi i rrjedhjes normale të trafikut dhe mbrojtja e ambientit.

Të ngjashme