I nënçmuar dhe nënvlerësuar. Por, jo më. Mesfushori i Liverpoolit, Jordan Henderson, që edhe bart shiritin e kapitenit, në dy edicionet e fundit i ka fituar trofeun e Ligës së Kampionëve dhe titullin e kampionit të Anglisë.
Këto arritje nuk janë aspak të nënvlerësuara për një futbollist që dikur konsiderohej si një blerje e shtrenjtë dhe e dështuar te Liverpooli. Madje, thuhej se Hendersoni nuk mund të vrapojë si duhet dhe ishte një futbollist që Liverpooli duhej ta përdorte si kartë për ta shkëmbyer me Clint Dempseyn e Fulhamit në vitin 2012, shkruan BBC, përcjell KOHA.
Mirëpo, të gjitha këto parashikime dhe kritika duket se ishin të ngutshme për shkak se Hendersoni tashmë është shndërruar në lojtarin më të rëndësishëm, si te Liverpooli ashtu edhe tek Anglia.
Ai me Anglinë tashmë ka zhvilluar 57 paraqitje, kurse te Liverpooli është shndërruar në lider që pëlqehet nga të gjithë. Në fakt, ai po vlerësohet ndër mesfushorët më të mirë anglezë në Premier League.
“Gjithmonë kam besuar në aftësitë e mia dhe jam munduar që kritikave t’u përgjigjem në fushë, pasi mendoj se kjo është mënyra më e mirë”, thotë Hendersoni 30-vjeçar.
Dyshimet e para
Hendersoni bëri 71 paraqitje në Premier League për klubin e tij të parë, Sunderland, përpara se të transferohej te Liverpooli për 20 milionë euro dëmshpërblim në verën e vitit 2011. Sidoqoftë, ai pothuajse u refuzua nga Sunderlandi, që kishte dyshime për pozitën në fushë dhe gjatësinë e tij.
“Kur po merrnim vendime për lojtarët në moshën 16-vjeçare, kishte pikëpyetje të mëdha për Jordanin”, tha Ged McNamee, që atëbotë ishte drejtori i akademisë së Sunderlandit.