Rrusta: Manipulimi i votave alarm për demokracinë, përgjegjësia nuk duhet të mbetet vetëm te nivelet e ulëta

Prishtinë | 24 Jan 2026 | 08:36 | Nga Ekonomia Online

Anëtarja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Teutë Rrusta lidhur me dyshimet për manipulim të votave e ka vlerësuar si të drejtë vendimin për rinumërim dhe ka theksuar se diferenca e madhe mes votës dhe tjetërsimit është alarmuese dhe, sipas saj, një situatë e tillë po ndodh për herë të parë në këtë përmasë, siç është pasqyruar edhe nga kompetentët e fushës, raporton Ekonomia Online.

Rrusta për Ekonomia Online ka vlerësuar se rasti duhet të shërbejë si sinjal për shoqërinë dhe politikën që të reflektojnë mbi simptomat dhe shkaqet e degradimit të politikës në vend, e cila, sipas saj, gjithnjë e më shumë po shihet si mjet për përfitim dhe pushtet, e jo si hapësirë për shtyrjen e bindjeve dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Po vendimi natyrisht që është i duhur për me i rinumëru votat, kjo diferencë kaq e madhe mes votës dhe tjetërsimit është shqetësuese dhe, me sa kam parë, është hera e parë që po ndodh. Edhe prej kompetentëve të kësaj fushe kështu e kanë pasqyru. Mirëpo, çka kishim mujt me nxjerrë ma tepër prej kësaj? Kjo tregon një alarm edhe çka na takon neve, edhe si politikë edhe si shoqëri, është me kuptu simptomat e çka është edhe çka ka ndodh me politikën në Kosovë, edhe pse është bërë një vend ku më shumë shihet si përfitim edhe pushtet për pushtet sesa një fushë ku ti merr pjesë për mi shty disa bindje të tua për me bë jetën më të mirë në Kosovë. Kështu që është tejet joetike tjetërsimi i votës, po përveç, sigurisht, i gjen kanalet e veta për mu adresu ligjërisht. Ne duhet me gjet arsyen se pse po arrin puna deri këtu për mos mu përsërit, se nëse kemi me adresu veç përmes infrastrukturës ligjore, kjo e garanton përsëritjen, se çka e shkakton këtë gjendje anomalike në politikë është mungesa e disa idealeve e besimeve, të cilat më pas nuk të lejojnë ë me arrit te kjo pikë. Kështu që zgjidhja është te politika, pikërisht aty ku edhe ka lind problemi”, tha ajo.

Rrusta ka folur edhe për përgjegjësinë politike, duke theksuar se fajtorët duhet të kërkohen tek ata që kanë pasur përgjegjësi për të mos lejuar një situatë të tillë, ndërsa ka kritikuar si pozitën ashtu edhe opozitën për mungesë të vizionit dhe misionit demokratik.

“Për mua, fajtori duhet me u pa më shumë se kush ka pas përgjegjësi që mos me ndodh kjo. Ideja ose diskutimi qysh partitë e vjetra kanë vjedh vota, kanë përfitu për interesat e tyre ekonomike e financiarisht, kanë qenë etiketa që partia tash e madhe e Vetëvendosjes e ka përdor kundër partive. Rrjedhimisht, këto parti e kanë pas për obligim me ofru diçka tjetër që nuk është veç vërtetim i asaj që e kanë thënë ata eksponentë të shtetit për ta. Krejt çka ka bo pozita tash është që e ka konfirmu një akuzë që ka qenë për ta, ka qenë rast i artë për mos me përsëritë këtë, mirëpo mungesa e një ideje më të madhe për çka ti sakrifikon i ka pru deri te kjo, që kjo politikë me u pa si vend punësimi edhe garantim i strukturës me qëndru gjallë. Mirëpo kjo nuk është asgjë më tepër sesa forcim i një force e cila tash është në rritje dhe është antidemokratike në thelbin e saj. Kështu që kur më shtrohet kjo pyetje për përgjegjësin kryesor, e shoh opozitën, sepse e ka pasë për detyrë me mbrojt demokracinë në Kosovë. Demokracia rrezikohet prej VV-së në plot rrafshe dhe partitë opozitare, që kanë thënë se VV është autoritare, kanë pas obligim, është dashtë me pas nivel misioni që mos me përsëritë këtë, por, siç duket, kanë qenë të preokupumë prej skemave të ndryshme të përfitimit të votave”, tha Rrusta.

Ajo ka komentuar edhe heshtjen e partive politike, duke e lidhur atë me fshehjen pas ligjit dhe mungesën e ideve dhe moralit politik, ndërsa ka theksuar se kriza e partive ka nisur me zbehjen e ideve.

“Mendoj se heshtja është e qartë, sepse këta fshihen prapa ligjit dhe ‘drejtësia ta bëjë punën e saj’, kjo fjalia e famshme. Mirëpo çka me thënë kur hajnia është kaq masive? Kjo tregon për organizim strukturor, tregon që disa grupe kanë favorizu. Çfarë të thonë partitë politike përveç arsyetimeve? Nuk e di konkretisht pse nuk flasin, mirëpo vërtet mendoj se është një deficit i madh i ideve dhe i moralit. Dhe çka ka ndodh është e rëndësishme me kuptu: me përfundimin e ideve janë tkurr partitë. Kriza nuk ka fillu kur këto parti kanë vjedh vota, nuk ka fillu kur këto parti janë tkurr në strukturë, kriza ka fillu kur idetë kanë fillu me u zbeh. Edhe sot mundeni me thënë me lirinë më të madhe që, në fakt, këto parti opozitare janë reprezentuese brenda çka përfaqëson partia më e madhe, LVV. Prandaj na insistojmë për një politikë të re. Kosovës i duhet një politikë e re që i rivendos raportin mes njerëzve dhe politikës, por edhe njerëzve mes vete, ku ka më shumë solidaritet, më shumë ndërthurje çështjesh dhe ku bëhemi bashkë për këto problemet e reja, por edhe me ndërtu diçka më shumë për vete si alternativë, si një vizion ku nuk është tërë kohën replikë ndaj pushtetit, por diçka e re. E këto parti opozitare e kanë të pamundur me bë këtë punë, kshtu që ka përfundu, për fat të keq. Ndoshta edhe iluzioni është mirë ndonjëherë mu përfundu për mu pa gjërat më qartë, por partitë opozitare kanë përfundu si ide”, theksoi ajo.

Rrusta ka kritikuar qasjen për gjetjen e fajtorëve vetëm në nivele të ulëta të procesit zgjedhor, duke kërkuar që përgjegjësia të shkojë deri te nivelet më të larta politike.

“Diskutimi deri tash ka ndodh ta gjejmë fajtorin zinxhiror, prej atij që e ka urdhëru deri te klasa dhe komisioneri. Unë e ndaj një mendim tjetër. Natyrisht që duhet që të shihet zinxhiri mirëpo nuk ish dasht problemi me u mbyll te klasët, sepse kjo nuk po e len me pa tërësinë se pse ka ndodh dhe kush e ka urdhëru. Dhe në fund ata politikanët që i kanë udhëheq ato po shpëtojnë prej krejt barrës, ndërsa po ndëshkohen ata atje në Kaçanik ose Han të Elezit ose Mitrovicë. E nuk është fer, për shkak se, megjithatë, brenda strukturave secili ka përgjegjësinë e vet, por prapëseprapë duhet ndëshku dhe me marrë dënimin ata që e kanë përgjegjësinë më të madhe. Nuk është fer me i ra në qafë më së shumti komisionerit ose vëzhguesit, por politikanëve që e kanë kthy politikën në interes dhe e kanë zhvesh prej këtij ideali, dhe është ky dëmi më i madh që i kanë bërë, përtej rezultatit zgjedhor”, shtoi Rrusta.

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se  në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë një aksion hetimor lidhur me dyshimet për manipulim të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) dhe Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren. 109 persona janë ndaluar për 48 orë. Prokuroria do të vlerësojë brenda afateve ligjore kërkesën për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.

Të ngjashme