Adnan Rrustemi nga LVV, pas dështimit të seancës së jashtëzakonshme, tha amandamentet kushtetuese për të votuar presidentin nga populli erdhi si kërkesë nga Presidentja dhe nuk ishin të Qeverisë e as të Vetëvendosjes, por tha se opozita s’po e ka të qartë se cka do, raporton Ekonomia Online
“Ne kemi pranuar amendamentet nga presidentja e Republikës dhe në kohë rekorde kemi vepruar edhe si Komision për Legjislacion dhe kemi thirrur seancën për t’i shqyrtuar, por ju e patë që mungoi vullneti për t’i mbështetur nëpërmjet zërave të ndryshëm të kundërshtimit të tyre. Nuk ishin amendamente të Qeverisë, as të grupit parlamentar të LVV-së dhe as të deputetëve tanë. Ishin thjesht amendamente të Presidentes. Opozita nuk e kanë të qartë se çka po duan ata, nuk kanë bërë propozim për presidenten”, tha Rrustemi.
“Në anën tjetër, opozita, partitë politike opozitare, deputetët e tyre nuk e kanë të qartë se çfarë po duan ata. Ata nuk kanë asnjë propozim për President të Republikës, nuk i japin nënshkrimet asnjë kandidati, nuk kanë pranuar asnjë kandidat konsensual, ndërkohë që edhe sonte i kundërshtojnë amendamentet kushtetuese për të mundësuar zgjedhjen e Presidentit apo të Presidentes nëpërmjet vullnetit të drejtpërdrejtë të qytetarëve. Prandaj është shumë e rëndësishme që opozita me e qartësu çfarë po kërkon. Domethënë nuk ka asnjë pozicion të qartë në shërbim të interesit publik të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Prandaj i falënderoj shumë për përcjelljen e kësaj seance dhe do të shihemi sërish në seancën e orës 22:00 që është caktuar tash. Sepse bllokimi që është, duhet edhe një kusht përsëritës. Deri më tani nuk kemi asnjë informacion për kandidatin apo kandidaten e dytë. Ne kemi një kandidat, i cili i ka përmbushur kushtet dhe kriteret procedurale kushtetuese. Po ashtu jemi gati me fillu seancën për Presidentin, por natyrisht se nuk mund të ketë seancë për Presidentin me një kandidat. Pra, procedura nuk mund të fillojë pa i pasur së paku dy kandidatë, kështu thotë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.
Rrustemi ka përsëritur atë se kanë ofruar nënshkrimet e VV-së për opozitën në mënyrë që të shpallin një kandidat për president.
“I kemi ftuar vazhdimisht deputetët e opozitës për të propozuar kandidatin e dytë dhe për të bërë pjesë e procesit të zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes së Republikës. Kemi shprehur gatishmëri për t’i dhënë nënshkrimet për kandidatura sido që të jenë, si për LDK-në, si për PDK-në, për të përmbushur kriterin minimal të 30 nënshkrimeve. Ne i kemi deputetët, i kemi nënshkrimet, por i kemi thënë publikisht se ne po i japim kohë dhe rast opozitës për të propozuar dhe për t’u bërë pjesë e procesit të zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes së Republikës dhe për t’i shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme. Prandaj le të dalin, le të thonë publikisht se çfarë po duan. Nuk bëjnë propozime, nuk japin nënshkrime, nuk pranojnë kandidat konsensual dhe në fund nuk i përkrahin amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit apo Presidentes”, theksoi ai.
