Rugova apel kryeministrit: Të hiqet logjika e asfaltit, të investohet në shëndetësi

Prishtinë | 19 Shk 2019 | 08:28 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

11 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, sistemi i shëndetësisë në vend vazhdon të mbetet në nivelin jo të duhur.

Kështu ka thënë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit anëtar i Komisionit për Shëndetësi, Naser Rugova. Ai vlerëson se investime po bëhen vetëm në infrastrukturë, sipas tij, jo në hallkën më të rëndësishme të vendit që është shëndetësia.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Rugova thotë se nëse ka luks të merren kredi milionëshe për autostrada, duhet të merren edhe për shëndetësinë.

“Në qoftë se kemi luks të marrim kredi për autostrada 1 miliard euro, vallë nuk u dashka kjo Qeveri dhe ky ministër ta ngritë zërin tek shefi i ekzekutivit që vërtetë që me nja 100 milionë euro do të fillonim t’i grumbullonim ato premiume elementare që gradualisht në vite do rimbursohej fondi i sigurimeve shëndetësore përmes 3.5 për qind nga punëdhënësit dhe 3.5 për qind nga punëmarrësit. Për shembull furnizimi me barna është informatë zyrtare për vitin 2018 në QKUK është vetëm 63 për qind, furnizimi me material shpenzues është vetëm 51 për qind. 49 përqind është i pritshëm mossuksesi qoftë i intervenimeve specialistike, operacioneve të mëdha etj”.

Ai ka bërë apel tek kryeministri i vendit dhe ministri i shëndetësisë, që ta kthejnë në prioritet shëndetësinë në Kosovë.

“I bëj apel kryeministrit që të lirohet nga logjika e asfaltit, por edhe ministrit aktual që t’i kthehet punës, të merret me cështje konkrete, pragmatike dhe jo kozmetike duke i forcuar, motivuar dhe në njëfarë forme duke tentuar që secilës hallkë të këtij sistemi kaq të rëndësishëm të një shteti t’i rrijë karshi me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore që i ka”, ka thënë Rugova për EO.

Rugova shetwsuese i sheh ikjet e mjekëve nga Kosova. Sipas tij, ikja e tyre dhe papunësia është një çështje serioze për të cilën duhet marrë veprime.

“Koha po ikë, teknologjia po avancon, shkenca e fushës së mjekësisë po avancon, vetëm në janar, dhjetor 2018 na kanë ikë mbi 100 specialistë. Ne kemi nevojë edhe për mbi 2 mijë mjekë sipas standardeve të OBSH, a në odën e mjekëve të Kosovës janë të regjistruar diku rreth 300 mjekë që nuk kanë vende pune. Këtu është një defekt serioz i mos funksionimit të hallkave kryesore të planifikimit”, u shpreh Rugova.

Sipas tij, plotësim-ndryshimet në ligje si dhe strategjitë e ministrave të shëndetësisë nëpër periudha të ndryshme kanë ndikuar negativisht në shëndetësi, ashtu si edhe vullneti politik ndër vite.

“Duke u nisë nga komponentë legjislative, jo që sistemi shëndetësor nuk është i mbuluar me ligje por plotësim ndryshimet e shpeshta të ligjeve që lidhen qoftë direkt apo indirekt me sistemin shëndetësor, kanë ndikuar edhe në nxerrjen e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative të cilat në njëfarë forme e thjeshtësojnë zbatimin e ligjeve që i nxjerrë Kuvendi në terren”.

“Kemi një diskrepancë të madhe, kemi ndryshim të politikave shëndetësore, secili ministër që ka ardhur e ka ndryshu strategjinë e veprimit, e ka ndryshu strategjinë sektoriale dhe është fokusu varësisht prej fushës së specializimit apo prej profesionit, sepse kemi pas disa ministra që nuk kanë qenë mjekë, e kemi vitin 2004-2008 dhe e kemi 2017-2019”, tha Rugova, i cili edhe vet është mjek.

Sipas tij, defektet në Shëndetësi janë më të theksuara në tri vitet e fundit.

“Në këtë kuptim ka pasur politizime, ndërhyrje në veçanti me bordet e caktuara, në spitalet regjionale por edhe në QKUK, që në fakt ndryshimi i orientimit të menaxhimit me statutin e ri të SHSKUK ka qenë një gabim strategjik i njërit nga ish ministrat sepse është e pamundshme që një njeri që është drejtor ekzekutiv i shërbimit klinik universitar, të njëjtën kohë të menaxhojë rreth 3000 mijë punonjës në QKUK dhe të jetë top menaxher i 5 spitaleve rajonale që janë në Kosovë. Defektet janë të shumta, në veçanti këto 2-3 vitet e fundit”.

Ai ka dhënë vërejtje për Ministrinë e Shëndetësisë, sipas të cilit kjo ministri ka një agjendë legjislative shumë të varfër.

“Kur nevoja është shumë e madhe, për shembull Ligji për Qeliza, Inde dhe Organe, për transplantimin e tyre, paramendoni një pacienti një transplantim i veshkës i kushton me analiza rreth 20 mijë euro, nuk është operacion i komplikuar dhe po të ishte ligji në fuqi, ky operacion që e ndalë vdekjen do të mund të kryhej me një participim në klinikën e urologjisë në QKUK me një 10 për qind të participimit të kësaj shume”.

Ndërkaq, premtimin që ai thotë se është dhënë nga ministri Ismaili për Ligjin për sigurimet shëndetësore, nuk është plotësuar ende, për çka 2019-ën e konsideron të vonshëm sa i përket fondit që duhet për këtë ligj.

 “Ka qenë premtim publik i ministrit aktual që kjo do ndodhë në vitin 2019, në kalendarin legjislativ ky ndryshim plotësim figuron diku në fund të vitit që nënkupton përgatitjet, nxjerrja e akteve nënligjore. Po të fillojmë tani, nuk do të ketë fond të sigurimeve shëndetësore deri në vitin 2021”.

“Prandaj, neglizhencat, ndërhyrjet politike, mungesa profesionalizmit dhe vizionit, nganjëherë edhe mungesa e njerëzve të duhur në vendin e duhur, mungesa e kuadrove profesionale, përkundër rritjes së buxhetit, ky buxhet nuk mjafton për vënien në binarë të sistemit shëndetësor. Nuk mjafton për dhe nuk garanton një përkujdesje normale shëndetësore për qytetarët e Republikës së Kosovës”, u shpreh Rugova për EO.

Të ngjashme