Ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mos ta votojnë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.
Ai ka bërë me dije se kundërshtimi i kësaj marrëveshje me votë do të ishte njerëzore dhe etike.
Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Rugova ka thënë se demarkacioni me Malin e Zi duhet të kthehet nga fillimi për t’u rinegociuar.
“Mendoj se deputetët e Kuvendit të Kosovës do të bënin shumë njerëzi për këtë vend nëse do ta kundërshtonin këtë marrëveshje. Mosvotimi i demarkacionit nuk është gjë e mirë vetëm për Rugovën, për Potgorin apo për rrafshin e Dukagjinit, por për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët. Kjo çështje duhet të kthehet përsëri në pikën zero, të formohet një komision tjetër i ekspertëve nga këto fusha dhe të thirret Mali i Zi që të rinegociohet kjo marrëveshje”, ka thënë Rugova.
Ai ka paralajmëruar se nëse ratifikohet në Kuvendin e Kosovës marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi në këtë mënyrë, ky kufi nuk do të jetë kurrë i qetë.
“Nëse këta e shtyjnë përpara këtë çështje dhe e kontrabandojnë ashtu siç e kanë në plan duke i dhënë favore të mëdha Listës Serbe, Qeveria e Kosovës duhet ta dijë se ai kufi nuk do të jetë kurrë i qetë. Ose fshatrat Haxhaj, Kuqishtë, Bogë, duhet ta lëshojnë atë territor dhe ta marrë krejt Mali i Zi”, ka thënë Rugova.
Ai ka shprehur frikën e tij se për ratifikimin e kësaj marrëveshje deputetët mund të shantazhohen në mënyra të ndryshme, e që sipas tij kjo formë e bindjes së deputetëve është treguar e suksesshme.
“Siç dihet, deputetët shantazhohen në mënyra të ndryshme. Dikush shantazhohet me favore e dikush me gjëra të tjera. E kemi edhe rastin më të freskët të Alma Lamës, e cila ishte prej deputetëve më të zëshëm, por ia dhanë postin e ambasadores në Romë dhe tash ajo u shukat. Ekzistojnë edhe mënyra të tjera për t’ua ndryshuar mendjen deputetëve, duke ua punësuar djalin, vëllanë apo dikë të familjes”, është shprehur Rugova.