Anëtari i LDK-së, Naser Rugova, ka thënë se nëse vazhdohet kështu do e zbresin rezultatin nën pragun zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme.
Në një shkrim në Facebook, Rugova ka thënë po ashtu se kur jep dorëheqje kryetari, atëherë automatikisht duhet të japë dorëheqje e gjithë kryesia e partisë.
Këtë deklaratë, Rugova e ka si kundërpërgjigje ndaj Lutfi Hazirit, i cili sot u shpreh se nëse jep dorëheqje Mustafa, nuk është e thënë që të japë e gjithë kryesia e partisë.
“Kur Kryetari jep dorëheqjen, ekipi i tij, pra Kryesia, me automatizëm po ashtu është e dorëhequr. “Sqarimi” që sot lëshoi dikush në emër të LDK-së tregon se sa thellë i ka rrënjët boshti i të keqes. Ata nuk do të ndalen derisa ta sjellin LDK-në në 4.9%”, ka shkruar Rugova.
LDK ka bërë të ditur se zgjedhjet për kryetarin e ri do të mbahen më 14 mars.
Këto zgjedhje vijnë pasi ky subjekt pati rezultatin më të keq në histori në zgjedhjet e 14 shkurtit ku pa votat e mërgatës është në 13%.
Mandati i kryetarit të ri do të jetë vetëm vazhdues i atij të Mustafës dhe nuk do të ketë zgjedhje në të gjitha degët.