Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, ka folur për mundësinë e shkëmbimit të territoreve që është hapur si temë ditët e fundit.
Mbrëmë edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëri nga bashkëpunëtorët e Ibrahim Rugovës, Nexhat Daci, kishte thënë se edhe Rugova e ka pasur një ide për shkëmbim territoresh.
Haki Rugova ka thënë se nuk e ka dëgjuar ndonjëherë që ish-presidenti i Kosovës ta kishte përmendur si mundësi shkëmbimin e territoreve.
Sipas nënkryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova, i ka pasur qëndrimet e prera sa i përket tërësisë territoriale të Kosovës.
“Unë nuk e di që e ka pas atë ide Ibrahim Rugova, së paku unë se kam dëgjuar asnjëherë publikisht që e ka thënë. Bile as privatisht. Të them të drejtën nuk e di që Rugova e ka thënë ndonjëherë. Rugova i ka pasur qëndrimet e tij të prera, Kosovën e ka konsideruar si Kosovë dhe ky ka qenë qëndrimi i tij politik e edhe i LDK-së në atë kohë, gjë që është edhe sot”, ka thënë Haki Rugova për lajmi.net.
Haki Rugova ka thënë se Daci është kompetent për të folur, pasi ka qenë bashkëpunëtor i ish-presidentit.
Ndërsa për nënkryetarin tjetër të LDK-së, Lutfi Haziri, që ka përmendur mundësinë e shkëmbimit të territoreve, Rugova ka thënë se mund të jenë variante të tilla në tavolinë.
“Për Nexhatin (Daci) nuk e di, është njeri kompetent dhe le ta thotë, nëse ai (Rugova) ka biseduar ndonjëherë për këtë punë me Nexhatin është muhabet tjetër, unë nuk e kam këtë informatë. E pat përmend edhe Lutfiu atëherë, gjithmonë ka variante, gjithmonë mund të jenë në tavolinë variante të lloj-llojshme, mirëpo duhet të bëjmë çmos që të shkoj në interesin tonë çdo gjë”, ka thënë Rugova.
Sipas kryetarit të Isogut, Haki Rugova, shkëmbimi i territoreve mund të jetë logjik e konfiguracionit të ri në Ballkan.
“Shkëmbimi i territoreve, mendoj se mund të jetë logjik e konfiguracionit të ri në Ballkan, mirëpo ato shkojnë me marrëveshje të popujve dhe shteteve, është një marrëveshje që mund të del në tavolinë, në qoftë se nuk shkon në dëm tonin në kuptimin nacional, kombëtar dhe shtetëror mund të pranohen variante të tilla, përndryshe qëndrimet aktuale politike janë këto çfarë janë”, ka thënë Rugova.