Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka reaguar ndaj grevës së paralajmëruar të Sindikatës së Bashkuar për Arsim dhe Kulturë (SBAShK).
Ai përmes një postimi në profilin e tij në Facebook tha se kërkesat e SBAShK për rritje ta pagave për arsimtarët janë të pa tolerueshme, sepse sipas tij Kosova i ka pagat më të larta në rajon.
“Është e pa tolerueshme shantazhi i vazhdueshëm (çdo semestër) që bëhet nga kjo sindikatë, për institucionet dhe shoqërinë. Mesatarja e pagave në arsim është me e larta në rajon, ndërsa produktiviteti dhe cilësia janë në nivele inferiore. E kemi përkrahur rritjen e buxhetit për arsim, por me kusht që kjo të jep rezultate dhe të lidhet me performancë”, ka deklaruar Rukiqi.
Ai ka shtuar se buxheti nuk mund të jetë në funksion të trashjes të beneficioneve për asnjë kategori dhe për t’ju dhënë drejtësi, të gjitha padrejtësive historike.
“Thirrja në histori dhe në kontribute “shekullore”, nuk mund dhe nuk duhet të bëhet barrë për gjeneratat e reja. Sektori publik nuk mund të shndërrohet në strehimore sociale”, ka shtuar Rukiqi.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) ka njoftuar se nga e hëna do të fillojnë grevën e përgjithshme në të gjitha institucionet arsimore.
SBASHK bënë të ditur se greva do të mbahet në shenjë proteste për koeficientin e pagave për punonjësit e arsimit në ligjin e pagave, pasi që sipas tyrë është ky ligj është mjaft diskriminues për të punësuarit në arsim.
“Greva fillon çdo ditë nga ora 9 deri në orën 12 për të gjithë grevistët e të gjitha ndërrimeve. Pas përfundimit të orarit të grevës të punësuarit lëshojnë objektin në të cilin është zhvilluar greva për të vepruar kështu çdo ditë të grevës. Gjatë periudhës sa zgjat greva e përgjithshme ndërpriten të gjitha aktivitetet që lidhen me punën në institucionet arsimore”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.