Kryeministrja rumune ka paralajmëruar të dielen, gjatë konferencës së Komitetit Amerikano-Izraelit për Marrëdhënie Publike (AIPAC) se shteti i saj do ta zhvendosë ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem.
Qeveria rumune e ka finalizuar procesin e “vlerësimit të mundësisë” për transferimin e ambasadës nga Tel Avivi, ka thënë gjatë fjalimit kryeministrja Viorica Dancila, raporton “The Hill”.
Udhëheqësia rumune e kishte përmendur për herë të parë mundësinë e zhvendosjes së ambasadës në Jerusalem gjatë dhjetorit të 2017-tës, pak pas njohjes prej presidentit Trump të Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit.
“Mbështetja jonë për shtetin e Izraelit është e vazhdueshme. Jam e vendosur t’i kontribuoj raporteve më të afërta midis Izraelit dhe tërë Bashkimit Evropian, posaçërisht tani, në kohën kur Rumania po e mban presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian”, ka thënë Dancila.
Presidenti rumun, Klaus Iohannis ka qenë kundërshtar i zëshëm i këtij hapi, duke thënë se Rumania do ta shkelte ligjin ndërkombëtar duke e zhvendosur ambasadën dhe se fjalën e fundit për këtë gjë e ka presidenti. Iohannis i ka thënë agjencisë AFP të dielen se paralajmërimi i Dancilas “shpërfaq injorancën e plotë rreth marrëdhënieve ndërkombëtare”.