Rusët të ofenduar nga Edi Rama për mos pranimin e vaksinës ‘Sputnik V’

Prishtinë | 30 Dhj 2020 | 21:25 | Nga Ekonomia Online

Ambasada ruse në Tiranë ka reaguar lidhur me refuzimin e kryeministrit Edi Rama për ta sjell vaksinën kundër COVID-19, “Sputnik V” në Shqipëri.

Sipas tyre, propozimi nuk mund të interpretohet si provokim.

“Është e vështirë të kuptohet pse kryeministri i nderuar i Shqipërisë, Edi Rama u mërzit kaq shumë nga komenti i Ambasadës së Rusisë. Na vjen keq që vullneti i mirë i Rusisë, i shprehur publikisht, interpretohet si veprime provokuese”, thuhet në reagimin e Ambasadës ruse në Facebook.

Rama në konferencën e fundvitit, tha se është krejtësisht e papërshtatshme që Ambasada të bëjë provokime të tilla qesharake.

“Ajo që pashë që Ambasada e Rusisë kishte postuar nga Twitteri i drejtorit të Komunikimit një retweet të shefes së Komisionit Evropian. Mendova se ishte një meme. Sepse për një shtet serioz është krejtësisht e papërshtatshme që të bëjë provokime të tilla. Kur them provokim nuk i paraprij ndonjë demarshi pranë shtetit rus, sepse ky është një provokim qesharak. Dhe nuk është mirë që një shtet si Rusia të bëhet qesharake nëpërmjet këtyre shkrimeve. Që Ambasada e një shteti serioz të sillet sikur është një seksion i Portokallisë apo konkurrent i Portokallisë. Shpreh keqardhjen për këtë. Postimi i Ambasadës ruse nga ana ime konsiderohet i papërshtatshëm. Ndjesë e Ambasadës ruse, qoftë dhe për keqkuptimin, do të ishte i mirëpritur”, tha Rama.

Ai më tej sqaroi se si Qeveria shqiptare është e fokusuar te vaksinat e Pfizer, Astra-Zeneca dhe Moderna.

“Ne jemi të fokusuar te vaksinat e Pfizer, Astra-Zeneca dhe Moderna. Shtetet me te cilat ne komunikojmë në BE janë drejtuar në këto kompani. Nuk kemi asnjë arsye të shprehim rezerva apo të paragjykojmë vaksinën ruse apo kineze, por për momentin ne jemi të fokusuar në këto drejtime. Nëse do të lind nevoja dhe do ta shohim të arsyeshme, patjetër që do të shohim dhe alternativa të tjera”, theksoi ai.

Ambasada i është përgjigjut një shkrimi në Twitter të zëdhënësit të Ramës, Endi Fuga, pasi ky i fundit u ankua tek presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, duke pretenduar se Ballkani Perëndimor është “lënë vetëm” në fushatën e vaksinimit kundër COVID-19. Ambasada tha se Rusia është e gatshme të ofrojë vaksinën e saj në Shqipëri, nëse Qeveria e kërkon atë.

Ky nuk është refuzimi i vetëm që po i bëhet Rusisë për vaksinën “Sputnik V”.

Të hënën, presidenti Aleksandar Vuçiqi ka thënë se, nuk do ta marrin vaksinën ruse “Sputnik V”, pa miratimin e institucioneve serbe të shëndetësisë, duke shtuar se një kontingjent prej 77 mijë doza të vaksinës Pfizer do të vijnë së shpejti në Serbi.

“Para fundit të vitit, në vendin tonë pritet të arrijnë edhe sasitë e para të vaksinës ruse ‘Sputnik V’, por kjo nuk do të thotë gjë, gjersa ta marrim lejen nga institucionet tona të shëndetësisë”, tha Vuçiq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme