Feride Rushiti është kthyer nga Amerika me një çmim shumë të rëndësishëm, atë si gruaja e guximshme që iu dha nga Departamenti i Shtetit.
Rushiti si drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave nga Tortura pas kthimit nga Amerika ka theksuar se ky çmim i’u është dedikuar të gjitha grave të mbijetuara nga dhuna seksuale, raporton Ekonomia Online.
“Çmimin i’u kam dediku grave dhe viktimave të luftës seksuale, sepse mendoj që bashkarisht me zërin e grave të tjera qoftë politikane, qoftë të shoqërisë civile, qoftë të drejtave të njeriut ,por edhe atyre që zëri i tyre ka qenë i padëgjueshëm, kam arrit dhe ato kanë qenë inspirim për mua, me vazhdu unë për 20 vite me radhë këtë fushë”, ka thënë Rushiti.
Ajo ka thënë se Kosova ka shënuar progres në përkrahjen e kësaj kategorie.
“Kosova ka bërë progres në këtë drejtim dhe është progres i cili duhet të potencohet, është duke u zhvilluar një lëvizje globale për të mbijetuarat e dhunës seksuale e cila veç po e merr formatin e vet”, ka shtuar ajo.
Rushiti ka pohuar se përveç komisioni shtetëror për verifikim dhe dokumentim i cili jep edhe vendimin, pjesë e këtij procesi janë edhe katër organizata joqeveritare, 7 zyrtarë të departamentit për invalid dhe veteranë.
“Në Kosovë procesi është i ndërtuar ashtu që pjesë e procesit nuk është vetëm komisioni shtetëror që merret me verifikim dhe dokumentim dhe që jep vendimin, por pjesë e saj janë edhe katër organizata joqeveritare të cilat kanë besimin e krijuar dhe kanë ndiku në krijimin e politikave për me ardh deri këtu procesi, janë 7 zyrtarë të departmentit për invalidë dhe veteranë për 7 komuna të Kosovës dhe është një formë e veçantë që personi që i ka mbijetu dhunës seksuale shkon ai me ju qas komisionit ose përmes familjarëve dhe komisioni në periudhë prej 30 ditësh duhet ta shqyrtojë aplikacionin e aplikuesit, të merr informata shtesë dhe t’i ndahet beneficioni që i takon si viktimë e dhunës seksuale dhe ti ndahet pensioni mujor në shumë 230€”.
Kur është themeluar komisioni shtetëror për verifikimin dhe dokumentimin e të dhunuarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë, numri i aplikuesve ka qenë i vogël, por sipas Rushitit tashmë ky numër është rritur.
“Numri i aplikuesëve është rritur, personat që aplilojnë duhet të ndajnë informatat me ne, dhe kjo zgjat procedura duke na jap informatat. Është një proces që don punë, angazhim, por është proces që ju dedikohet këtyre dhe nuk ka mundësi për devijacion”, ka thënë në fund ajo.