Një zyrtar rus ka thënë se Moska është kundër ndonjë “intervenimi të huaj” në Sudan ku më shumë se 100 protesues janë vrarë nga intervenimi ushtarak gjatë kësaj jave.
Zëvëndësministri i Jashtëm i Rusisë, Mikhail Bogdanov tha se për zgjidhjen e krizës në Sudan nevojiten dialogu dhe kompromisi.
“Natyrisht, për ta bërë këtë, keni nevojë për të vendosur rregull dhe ju duhet të luftoni kundër ekstremistëve dhe provokatorëve të cilët nuk duan që situata të stabilizohet “, citoi agjencia ruse e lajmeve RIA të ketë thënë Bogdanov.
Ai nuk e specifikoi se kujt i adresohet si ekstremistë dhe provokatorë.
“Ne jemi kundër çdo ndërhyrje të huaj”, tha më tutje zyrtari i lartë rus.
Sudani është zhytur në dhunë që kur ushtria, në prill, e dëboi nga pushteti presidentin Omar al-Bashir, pas protestave masive kundër sundimit të tij 30-vjeçar autokratik.
Më 3 qershor, trupat dhe forcat paraushtarake në Sudan bastisën një kamp protestuesish në kryeqytetin Kartum, në të cilin ishin mbledhur mbështetësit e opozitës.
Këshilli Ushtarak, i cili e arrestoi Bashirin, u zotua për të vendosur sundimin civil pas një periudhe tranzicioni që do të zgjasë jo më shumë se dy vjet.
Por udhëheqësit e opozitës kanë vazhduar protestat duke kërkuar një transferim më të shpejtë të qeverisjes ushtarake në atë civile.