Rusia ka raportuar për rekord të infektimeve ditore me koronavirus, teksa ka regjistruar 180,071 raste të reja. Kjo shifër paraqet një rritje të madhe krahasuar me muajin e kaluar, teksa varianti shumë ngjitës, Omicron po vazhdon të përhapet në mbarë vendin.
Rastet e reja, që u publikuan më 6 shkurt nga task-forca shtetërore për koronavirus, paraqesin rritje të infektimeve për rreth 2,800 krahasuar me një ditë më parë.
Rusia po përballet me një valë të re të pandemisë që prej mesit të janarit. Para kësaj vale, ky shtet regjistronte rreth 17,000 infektime ditore.
Pavarësisht rritjes së rasteve të reja, task-forca raportoi se numri i vdekjeve ka nisur të bie, teksa në 24 orët paraprake janë regjistruar 661 viktima.
Që prej fillimit të pandemisë, task-forca ruse ka raportuar për 12.8 milionë infektime dhe 335,414 vdekje.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, javën e kaluar tha se qeveria e tij po e shqyrton mundësinë që të lehtësojë disa kufizime kundër koronavirusit, pavarësisht rritjes së rasteve.
Ai iu tha udhëheqësve të bizneseve se autoritetet nuk po planifikojnë të vendosin masa izoluese apo kufizime të tjera për shkak të valës së re dhe se qeveria po shqyrton mundësinë që të heqë disa kufizime për personat që kanë qenë në kontakt me të infektuarit me COVID-19.
Të përballur me valën më të madhe të pandemisë deri më tani, autoritetet ruse në përgjithësi kanë refuzuar që të vendosin kufizime të ashpra dhe vazhdimisht kanë hedhur poshtë mundësinë që të vendoset masa e izolimit.
Rusia ka pasur në fuqi vetëm një izolim prej gjashtë javësh në vitin 2020 dhe në tetor të vitit 2021 shumë persona u urdhëruan që të punonin nga shtëpitë për një javë.
Në javët e fundit, disa rajone ruse kanë nisur të vendosin kufizime për personat nën 18 vjeç, pasi zyrtarët kanë theksuar se vala e fundit e pandemisë po prek më shumë fëmijët.
Vetëm muajin e kaluar, në Rusi ka nisur vaksinimi kundër koronavirusit i personave 12-17 vjeç.
Vetëm gjysma e popullsisë prej 146 milionë banorësh e Rusisë është vaksinuar deri më tani, edhe pse Rusia ishte shteti i parë që prezantoi vaksinën e saj kundër koronavirusit, Sputnik V./rel/