Mungesa e reshjeve të borës, dhe ngrohja e temperaturave në muajin shkurt – jonormale për këtë periudhë, mund të sjellë pasoja për të mbjellat në Kosovë, thotë profesori i bujqësisë, Imer Rusinovci. Për këtë arsye, nuk pritet prodhim i lartë sivjet, ndërsa rekomandon që fermerët të intervenojnë me dozën e riplehërimit.
Në një intervistë për Ekonomia Online, profesori universitar parashikon që sivjet sfidat për bujqësinë në Kosovë do të jenë edhe më të mëdha sesa vitet e kaluara. Rusinovci thotë se me sipërfaqet kultivuese që ka, Kosova siguron vetëm gjysmën e ushqimit.
“Ky vit, në kuptimin e itinerarit agronomik është më i çrregullt. Para se gjithash nuk u karakterizua me reshje bore në pjesën dërrmuese të regjioneve tona prodhuese dhe kjo në njëfarë forme dhe ngritja e temperaturës se s’është normale për muajin shkurt përshpejton vegjetacionin që mund të ketë pasoja dukshëm të mëdha. Në mars, eventualisht në prill, po qe se na paraqiten oshilime të temperaturave, para se gjithash mendoj ndonjë reshje bore që mund të bjerë në mars, ose acar dimëror, sepse ky përshpejtim i temperaturës në shkurt mund të mugullojë pemët, mund të shpejtojë vegjetacion tek bimët që janë mbjellë në vjeshtë, siç është rasti i grurit dhe pasojat mund të jenë dukshëm të mëdha”.
“Pavarësisht kësaj, unë rekomandoj tek fermerët që fundi i këtij muajit dhe fillimi i marsit të intervenohet me dozën e parë të riplehërimit, fillimisht me ure dhe një muaj pas intervenimit të parë të korrektohet ose të përmirësohet afati i dytë i plehërimit me nitrat të amonit gëlqeror, që në popullatë edhe sot e kësaj dite e quajmë ‘KAN’ me një dozë relativisht më të ulët në raport me afatin e parë të plehërimit”, thotë Rusinovci.
Profesori tha se në rast se ka rritje të temperaturave, dëmet mund të jenë evidente. Ai thekson se nuk ka nevojë për panik, por këshillon bujqit që të këshillohen me specialistët e fushës.
“Nuk pritet një prodhim i lartë në raport me vitet e kaluara, sepse pasojat mund të jenë evidente gjithmonë për pasojë të çrregullimeve klimatike. Por fermerët duhet të jenë më të përgjegjshëm të kenë mbikëqyrje të plotë nga specialistët dhe të intervenojnë krahas rekomandimeve të tyre varësisht për cilin sektor është fjala”, tha Rusinovci.
Sipas Rusinovcit, ky fenomeni është pjesë e çrregullimeve klimatike në krejt globin.
“Kemi të bëjmë me një fenomen që kohës së fundit ka përfshirë gjithë globin tokësor që po e quajnë çrregullimet klimatike, si pasojë e shkatërrimit të shtresës së ozonit, industrializimit të madh, numrit të madh të makinave e tjera e tjera dhe dikur në Amerikë nën Al Gorin u udhëheq një projekt për këto ndërrime klimatike se nuk dhanë një rezultat konkret, pasoja e shkrimit të akullnajave, ngritjes së temperaturës në masë vjetore për një shkallë të caktuar e të tjera”.
“Sfidat në agronomi do të jenë dukshëm më të mëdha në raport me vitet e kaluara, por ne nuk duhet të dorëzohemi dhe të mos përballemi me sfidat, sepse duhet të përballemi me ato çka na bjen koha, klima, konditat agro-ekologjike; faktori njeri që intervenon përmes agroteknikës”.
Ndërkaq sa i përket importit të ai tha se një sasi e madhe e lëndës së parë importohet nga vendet e rajonit. Ai thekson se duhet të ndërtohet një raport i përbashkët në mes shërbimeve këshillimore dhe fermerëve që të shtohet prodhimi.
“Po flas për prodhimtarinë primare, sepse jam vetë specialist i drithërave, kur kemi parasysh ushqimin bazë, gruri, mielli i grurit, gruri merkantil e të tjera, importohet një sasi e madhe nga vendet e rajonit dhe ne me sipërfaqen kultivuese që e kemi, edhe vitin e kaluar që nuk ka shumë dallim në bazë të dhënave referale që ka Agjencia e Statistikave, përkatësisht Ministria e Bujqësisë, mund të sigurojmë ndoshta gjysmën e ushqimit. Flas për nevoja të drejtpërdrejta, pasi në Kosovë nuk punon industria ushqimore. Po të punonte industria ushqimore atëherë nevoja për drithëra do të ishin dukshëm më të larta”.
“Kjo na bën me kuptu që ne në të ardhmen duhet shumë të punojmë me fermerë që duhet të ndërtojmë një emërues të përbashkët në mes të shërbimeve këshillimore, dikasterit përkatës dhe fermerëve qofshin prodhues, qofshin përpunues që të shtojmë prodhimin për njësi sipërfaqësore, sepse po përballemi me import marramendës”, tha Rusinovci për EO.