Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu ka publikuar një mesazh të drejtpërdrejtë për mërgatën junikase, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në një postim në Facebook, ai ka ndarë të dhëna për përfshirjen e deritanishme të votuesve nga diaspora dhe ka bërë thirrje për mobilizim të mëtejshëm.
“Sipas informacioneve që kemi mbledhur nga terreni, deri më tani nga 1407 votues të regjistruar nga mërgata kanë votuar rreth 700 prej tyre për Lidhjen Demokratike të Kosovës,” shkruan kryetari.
Ai e ka quajtur mërgatën “gjysma e zemrës së Junikut”, duke shtuar se “vota juaj është e domosdoshme për të vendosur mbi fatin e Junikut në 4 vitet e ardhshme.”
Në postim, kryetari i bën thirrje të gjithë atyre që ende nuk kanë votuar që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre votuese. Ai thekson se një përfshirje më e madhe do të ndihmonte në sigurimin e fitores pa balotazh.
“Vetëm në këtë mënyrë ju mund të konfirmoni fitoren tonë më 12 tetor pa balotazh”, tha ai.
Për ata që nuk kanë arritur të regjistrohen për të votuar me postë, ai i ka ftuar që të udhëtojnë drejt vendlindjes në ditën e zgjedhjeve.
“I ftojmë që më 12 tetor të vijnë në Junik dhe të japin votën e tyre”, ka shkruar ai.
Duke e përmbyllur thirrjen e tij, Shehu rikujton rëndësinë historike të kontributit të mërgatës.
“Si gjithmonë, kontributi juaj për Junikun është thelbësor. Prandaj edhe këtë herë Juniku ka nevojë për juve, ndoshta më shumë se kurrë më parë”, shtoi Shehu.