Sa e ndihmon biznesin krijimi i një grupi në Facebook

Prishtinë | 25 Tet 2024 | 02:30 | Nga Ekonomia Online

Shumë ndërmarrës krijojnë një faqe në Facebook për biznesin e tyre, duke pritur që të jetë një gjë e mirë për angazhim, referim dhe shitje.

Fatkeqësisht, shumica e bizneseve dështojnë dhe shndërrohen në një zonë të vdekur. Për të bërë faqet tuaja të kenë sukses, ju duhet të paguani reklama, duke i vendosur ato para audiencës tuaj të shënjestruar.

Është e vështirë për shumicën e bizneseve të krijojnë një faqe të angazhuar pa një buxhet për reklama. Gjithashtu, shumë konsumatorë shikojnë një faqe në Facebook si reklamë. Kjo dërgon në frustrim dhe në shumë pronarë biznesi të cilët braktisin Facebook. Në vend se të bëni këtë, kaloni fokusin tuaj në ndërtimin e një Grupi në Facebook për biznesin tuaj.

Është një mënyrë e mirë për të krijuar një komunitet shumë të angazhuar të individëve të cilët me shumë gjasa do të jenë të interesuar në biznesin tuaj. Unë së fundmi krijova një grup të mbyllur, E-Commerce Rockstars, sepse besoj me të vërtetë se Grupet në Facebook ofrojnë shumë përfitime. Këtu janë pesë arsye pse vendosa të krijoj një grup, dhe pse edhe ju duhet t’a merrni në konsideratë.

Ofron angazhim më personal

Shumica e faqeve të biznesit në Facebook kanë mungesë të llojit të angazhimit dhe diskutimeve që pronari i faqes i dëshiron. Këtu arrin sukses Grupi në Facebook. Diskutimi i duhur mund të ketë sukses sepse nuk është aq frikësues si një faqe biznesi.

Shumë konsumatorë nuk dëshirojnë t’i bashkohen bisedës në një postim të bërë nga një biznes, por nëse është në një grup, ajo pengesë largohet. Ju jep mundësinë të jeni më personalë. Ju jeni fytyra prapa grupit, jo një emër dhe logo e kompanisë. Konsumatorët dëshirojnë të angazhohen me një person, jo me një kompani.

Fokuson vëmendjen

Në një grup, ju keni mundësinë të vendosni një postim në krye. Ky është një vend i mrekullueshëm për të nxitur konsumatorët. Ju duhet të postoni një ftesë për t’iu bashkuar buletinit tuaj informativ, veçanërisht nëse ofroni vlerë për anëtarët e grupit.

Jo çdo anëtar i grupit do të hidhet në ofertën tuaj menjëherë, por nëse qëndroni të fokusuar në vlerë, ju do të shihni anëtarët e grupit të dëshirojnë më shumë nga përmbajtja juaj.

Do të pranoni reagime të menjëhershme nga sondazhet

Grupet janë një burim i mirë i reagimeve të menjëhershme, dhe nëse krijoni një grup nga fillimi, reagimet që do ti pranoni do të jenë shumë të vlefshme. Duke krijuar një sondazh në grupin tuaj, ju mund të pranoni reagime për çdo pyetje që keni.

Kjo mund të ofrojë përfitime për çdo biznes. ‘’Grupet në Facebook ju japin mundësi të anketoni anëtarët tuaj dhe të pranoni reagime dhe gjithashtu të nisni një bisedë për çdo temë. Nga koncepti i produktit në përvojat e konsumatorëve, është një burim i reagimeve më të sinqerta që mund t’i gjeni në një ambient online’’, thotë Steven Zeldes, Kryeshefi Ekzekutiv i AvaCare Medical.

Ju mund të shpallni oferta

Unë krijova grupin tim për të mbledhur ndërmarrësit të cilët ndërtojnë biznese online për disa arsye, për të treguar ide, për të ndarë përvoja, për të bërë pyetje dhe për të krijuar një komunitet të më të mirëve në lojën e shitjeve online.

Unë gjithashtu e bëra për të shpallur oferta. Krijimi i këtij grupi më jep një audiencë shumë të shënjestruar për t’ia prezantuar ofertën kur ajo kohë vjen. Por, kjo vjen më vonë. Unë për momentin do të fokusohem në krijimin e vlerës për komunitetin. Pa atë element, askush nuk do të jetë i interesuar për ofertën.

Krijoni besim duke ofruar vlerë

Të gjitha katër pikat e mëparshme të diskutuara kërkojnë një element, besimin. Pa besim, ju nuk do të keni një grup të angazhuar, nuk do të ngjallni interes për ofertën tuaj, sondazhet tuaja nuk do të pranojnë reagime dhe çdo ofertë që shpallni nuk do të pranohet mirë.

Për të krijuar besim, ju duhet të ofroni vlerë. Gjërat si ndarja e përvojës, përgjigja ndaj pyetjeve të gjitha mund të forcojnë marrëdhënien në mes jush, anëtarëve dhe biznesit tuaj. Mbajtja e seancave pyetje dhe përgjigje dhe krijimi i përmbajtjes ekskluzive për grupin tuaj janë thjeshtë disa shembuj se si mund të ofroni vlerë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme