Sipas një studimi të fundit të kryer nga Wildgoose në Londër ku u anketuan rreth 120 kompani të ndryshme, u arrit në përfundimin se 60 për qind e punonjësve të këtyre kompanive u shprehën se për ta ishte më e rëndësishme që të kishin miq në ambientin e punës sesa të kishin një pagë më të lartë.
Një gjë e tillë tregon se për pjesën më të madhe të këtyre punonjësve një ambient pune pozitiv është shumë i rëndësishëm për progresin e tyre dhe mbi të gjitha në reduktimin e nivelit të stresit që mund të krijohet.
Burimet njerëzore po përballen me një problematikë shumë të madhe sepse motivimi i çdo punonjësi nuk mund të arrihet vetëm duke rritur nivelin e pagës së tyre, sepse pjesa më e madhe e punonjësve (të paktën në studimin e përmendur më lart) preferojnë një miqësi me vlera në ambientin e punës ndaj rritjes së pagës.
Rreth 81 për qind e punonjëseve gra të pyetura në këtë studim u përgjigjën se për to është shumë më e rëndësishme miqësia e vërtetë në punë sesa një pagë më e lartë, ndërsa sa i takon punonjësve burrave rreth 55 për qind e tyre pohuan se për ta ishte më e rëndësishme miqësia në punë sesa një pagë më e lartë. Të dhëna të tilla tregojnë se gratë kanë tendencë të jenë më sociale në punë ndërsa burrat janë më të orientuar nga financat.
Gjithashtu rreth 57 për qind e punonjësve të anketuar u shprehën se të pasurit e një kolegu-mik në ambientin e punës ndikon pozitivisht edhe në rritjen e produktivitetit sepse ata përballen me një nivel shumë të ulët stresi.
Ata gjithashtu besojnë se të pasurit e një kolegu-mik në punë ndikon edhe në rritjen e kreativitetit.
Ana tjetër e debatit
Jo të gjithë rezultatet e këtij studimi ishin në favor të miqësisë në ambientin e punës. Në fakt, 24 për qind e punonjësve të anketuar u shprehën se të pasurit e një kolegu-mik në ambientin e punës ndikon në shpërqendrimin e tyre dhe për pasojë edhe në uljen e produktivitetit. 11 për qind e tyre u shprehën se nuk kishin një koleg-mik në punë.
Por të dhëna të tilla ndryshuan kur u mor për bazë rankimi i punonjësve sipas pozicioneve të tyre. Kështu për shembull, të gjithë ekzekutivët e lartë vlerësonin më shumë një pagë më të lartë sesa një miqësi të mirë në ambientin e punës, ndërsa menaxherët vlerësonin më shumë një miqësi të mirë në punë sesa një pagë më të lartë.
A ndikon madhësia e një kompanie në këtë drejtim
26 për qind e të anketuarve, pjesë e kompanive të vogla me një numër punonjësish deri në 10 veta, pohuan se ata nuk kishin një koleg-mik në ambientin e punës. Ndërsa 12 për qind e të punësuarve në një korporatë të madhe pohuan se ata kishin krijuar miqësi në ambientin e punës.