Zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, ka thënë se numri i të infektuarve me Koronavirus në Kosovë është i vogël në krahasim me shumë vende të tjera.
“Deri tash të gjithë parametrat tregojnë se Qeveria ka marrë hapa të suksesshëm për menaxhimin e kësaj situate. Nuk jemi në pikun e sëmundjes por dy-tre javët e ardhshme do të jenë të rëndësishme për menaxhimin e kësaj situate”, ka thënë Sadiku, njofton Klan Kosova.
Ai ka thënë se respektimi i masave nga qytetarët e lehtëson situatën.
Sadiku në Info Magazine ka pohuar se deri më sot në karantinë kanë qëndruar 681 persona, prej të cilëve 190 janë liruar për në shtëpi pas që pas dy javësh qëndrimi aty kanë dalë pozitiv në teste.
“Veprimet e bëra kanë qenë duke u bazuar në ekspertë. Ministri Arben Vitia ka thirrur të gjithë ekspertët që i kemi. Meritë e të gjithë neve bashkërisht është që kemi arritur ta mbajmë situatën nën kontroll. Kemi marra masa. As shtetet tjera nuk kanë bërë karantinë, sepse nuk është lehtë”.
“Efekti i masave është bërë duke u bazuar në mendim profesional. Kemi shpresë për dy-tre javët e fundit me përkrahje të domosdoshme… të mbahet distanca sociale – nuk përhapet sëmundja. E kemi rastin në Malishevë kur prej një personi janë infektuar 44 persona”.