Zyrtarizmi i kalimit te gjigandët Legia e Varshavës duket vetëm çështje orësh, pasi sipas mediave lokale sulmuesi shqiptar kaloi me sukses testet mjekësore që i zhvilloi paraditen e së mërkurës në klinikën “Enel-Sport”.
Një lëvizje që i kapi të gjithë të papërgatitur, ndërsa sulmuesi 26-vjeçar duket se e ka bërë zgjedhjen e tij. Te Legia ai do të ketë mundësinë të luajë në Champions, me klubin që është i angazhuar në turin e dytë kualifikues.
Por, më e rëndësishmja është që në Varshavë, Sadiku do të ketë një rol protagonisti. Ai vlerësohet si përforcimi cilësor në repartin ofensiv dhe klubi shpreson që me këtë lëvizje të ketë zgjidhur problemin e golashënuesit.
Në këtë aspekt Sadiku është një garanci, pasi në pesë vjet që është aktivizuar në kampionatin zviceran, sulmuesi kuqezi ka realizuar 94 gola në 180 ndeshje të luajtura.