Sadiku kritikon Kurtin për situatën energjetike: Kemi qymyr nën tokë, por s’kemi rrymë mbi tokë

Prishtinë | 22 Nën 2026 | 11:14 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për situatën me furnizimin me energji elektrike, duke e cilësuar atë si dështim të rëndë qeverisës.

Sadiku, në një postim, ka rikujtuar deklaratat e mëhershme të Kurtit për energjinë, ndërsa ka përmendur shpenzimet për import, investimet në riparimin e termocentraleve dhe subvencionet, për të cilat thotë se nuk kanë sjellë rezultatet e premtuara.

“‘Po flejna mbi qymyr’, thojke.

‘Rryma ka me u liru kur të vijmë në pushtet’, thojke.

1.1 miliard euro i kanë shpenzu për import të rrymës. E hala po blejnë.

Qindra miliona euro thonë se i kanë investu në riparime të termocentraleve.

Qindra miliona të tjera në subvencione e grante.

E pas krejt këtyne miliardave, ku jemi sot?”, ka shkruar Sadiku.

Ai ka renditur, sipas tij, problemet me të cilat po përballet sektori energjetik, duke përmendur masat emergjente, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe mungesën e investimeve në kapacitete të reja prodhuese.

“Me masa emergjente në energji.

Me ndërprerje të rrymës.

Me termocentrale që bien vazhdimisht prej sistemit.

Pa investime serioze në kapacitete të reja prodhuese.

Pa strategji të qartë. Pa vizion energjetik.

Kemi qymyr nën tokë, por s’kemi rrymë mbi tokë”, ka deklaruar ai.

Sadiku ka vlerësuar se situata aktuale nuk është vetëm paaftësi, por, sipas tij, dështim i rëndë i qeverisjes.

“Kjo nuk është veç paaftësi. Kjo është dështim i rëndë qeverisës.

E më e keqja është që, pas krejt këne dështimeve, ende dalin e na mbajnë ligjërata për sukseset e tyre.

Kërkoni more falje këtij populli!”, ka përfunduar Sadiku.

Të ngjashme