Salah e konsideron si momentin më të keq në karrierë kur në finale të Ligës së Kampionëve u detyrua të lë fushën e lojës para kohe pas lëndimit të rëndë që pësoi në duel me Ramosin.
Ylli i Liverpoolit, Mohamed Salah, e ka pranuar se largimi nga fusha në finale të Champions League për shkak të lëndimit në shpatull, është momenti më i keq në karrierën e deritanishme, duke shtuar se kishte nisur të frikësohej nëse do të luante në Kupën e Botës.
Salah u largua nga fusha në Kiev mes lotëve pas lëndimit që pësoi në duel me Sergio Ramos në pjesë të parë, ku Liverpooli humbi 3-1 nga Real Madridi.
Duke kujtuar atë natë, Salah i tha Marcas: “Largimi nga finalja ishte momenti më i keq në karrierën time”.
“Nisa të mendoj se mund ta humbas Kupën e Botës, ishte shkatërruese”.
Egjipti do të nisë aventurën në Kupën e Botës me Uruguain me 15 qershor, teksa në Grup do të përballet edhe me Rusinë (nikoqirin) si dhe Arabinë Saudite.
“Për ne, kualifikimi në Kupën e Botës, është ngjashëm sikur Spanja kur fiton titullin”.