Në konferencën “Konkurrenca e Industrisë Metalike (me fokus në shkathtësi)”, e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës në bashkëpunim me EYE- Enhancing Youth Employment (Projekt i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim), u diskutua mbi aftësitë të cilat kërkohen në industrinë e metalit, me fokus në lëmin e saldimit.
Konferenca u përqendrua në sfidat të cilat janë të pranishme për rekrutimin e stafit në industrinë metalike, se sa është e lehtë të rekrutohen studentët në shkollat profesionale dhe se sa përputhen shkathtësitë ekzistuese me nevojat e tregut. Në konferencë u diskutua edhe mbi rëndësinë dhe kërkesat e eksportit për industrinë metalike.
Konferencën e hapi drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, i cili vlerësoi se kjo temë është e një rëndësie të veçantë, pasi industria e metalit është sektor me potencial në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Klubi i Prodhuesve në kuadër të strategjisë ka katër shtyllat e zhvillimit ekonomik, shtylla këto që përfshijnë punësimin, diplomacinë ekonomike, energjinë dhe ambientin.
“Pa pasur punëtorë të shkathët, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm. Vlen të përmendet që vetëm me ndërtimin e termocentralit së Kosovës së re, i cili është investim rreth 1.3 miliard euro, do të ketë nevojë për punëtorë të kualifikuar, është mirë që ky investim të mbetet në Kosovë”, deklaroi Panxha.
Timothy Sparkman, drejtor i programit EYE, tha që ky program projekt katër vjeçar i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, ka për qëllim zhvillimin sistematik të një partneriteti afatgjatë me sektorin privat, duke i mbështetur mundësitë e punësimit dhe duke lehtësuar tranzicionin në tregun e punës.
Sparkman theksoi që rezultat i bisedave dhe raporteve të shumta është hendeku i aftësive, ka kërkesës mjaft të madhe për punësim, mirëpo shkalla e papunësisë është po ashtu e madhe, sidomos në lëmin e saldimit. “Ju sfidojë të jeni më inovativ në zgjidhje të problemit të zhvillimit ekonomik, gjeni zgjidhje që nuk i keni përdorur më parë”.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka shprehu gatishmërinë për përmirësimin e situatës aktuale dhe bëri të ditur që me strategjinë e zhvillimit ekonomik do të përfshihet ndërtimi i termocentralit Kosova e Re, sektori minerar dhe zhvillimi i Trepçës, ku do të ketë edhe investime të huaja.
“Në vitin e ardhshëm, me fillimin e ndërtimit të termocentralit, do të nevojiten punëtorë të kualifikuar, sidomos në saldim, e cila do të jetë shkathtësia më e kërkuar në Kosovë”, tha ai.
Po ashtu, Lluka siguroi që me nënshkrimin e kontratës me Countour Global për termocantralin Kosova e Re, është paraparë që në kushte të barabarta të ju jepet përparësi kompanive lokale dhe të ndajë një fond për zhvillimin e shkathtësisë për saldim.
Ndërsa, ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi u shpreh optimist me rritjen e kërkesës për vendet e punës. Ai u shpreh që së bashku me kompanitë private do të kenë marrëveshje për zhvillimin e kurrikulave edhe në aspektin e praktikës.
“Së bashku me Klubin e Prodhuesve kemi bërë marrëveshje qe mësimi praktik të zhvillohet edhe në kompanitë private”, u shpreh ai.
Gjatë konferencës, përfaqësuesit e bizneseve patën rastin që t’i shprehin shqetësimet rreth zhvillimit të aktiviteteve të tyre biznesore, ku theksuan që mungesa e aftësimit profesional si një ndër barrierat kryesore për industrinë e metalit në Kosovë.
Nijazi Musliu nga Eurometal tregoi që ju mungojnë kuadrot profesional, sidomos në saldim. Ai tregoi që kompania e tij është dashur të anulojë projekte pasi që nuk ka pasur stafin e përshtatshëm për punë.
Safet Ymeri nga qendra trajnuese në KEK, tha që qendra bënë trajnimin e punëtorëve dhe trajnimet zgjasin të paktën tri javë. “Me modulet ekzistuese mundemi t’i mbulojmë kërkesat e tregut, po nevojitet gatishmëri prej kompanive që t’i sjellin punëtorët e tyre për certifikim”.
Faik Salihu nga shkolla e mesme e makinerisë “Shtjefën Gjeçovi” tha që ka pasur shumë ndihmë nga kompanitë prodhuese në sigurimin e materialeve punuese. Ai tha që shkolla ka gjithsej një mijë nxënës, ku gjashtëdhjetë prej tyre janë të fokusuar në saldim.
Binak Morina nga “Hymeri Group”, tregoi për shkollën e re të hapur prej tyre, me drejtime në mekatronikë, metal punues, saldim. Shkolla është e hapur rishtazi dhe tenton që t’i plotësojë nevojat e tregut, por synon akreditimin e plotë të saj në aftësimin profesional.
Përveç mungesës së shkathtësisë u adresua edhe problemi i eksportit të metaleve. Si sfidë kryesore e eksportit u theksua mungesa e informacionit nga kompanitë prodhuese për kërkesat e tregut të jashtëm dhe moscertifikimi i produkteve që do të lehtësonte eksportin në tregun e jashtëm.