Salihaj i mashtron mediet, “zbulon” ilirë në Afganistan

Prishtinë | 14 Tet 2016 | 11:35 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, i ka thirrur gazetarët pranë bustit të Ibrahim Rugovës në kryeqytet në një “konferencë të jashtëzakonshme”.

Por, gjithë vëmendjen mediale, ai e ka shfrytëzuar për të folur për një popull  të quajtur Kalash që jeton në mes të Afganistanit dhe Pakistanit, që sipas tij kanë prejardhje ilire. Ai ka folur për doket e tyre të dasmave, duke i zhgënjyer gazetarët që kishin opritur që ai të japë detaje rreth temës së riaktualizuar këto ditë – atentatet e pasluftës.

Salihaj ka qenë cak i një tentim-atentati të pazbardhur mirë. Ndërsa deri më sot nuk është ditur se ai ka interesime për doke popujsh ose historinë.

“Janë disa fjalë që ne i përdorim edhe sot shumë. Kur i bëjmë dasmat, kur martohen të rinjtë i betohen njëri – tjetrit. Dhe cili është betimi i tyre – “Derisa të vdes, besa, besë””.

“Ky tipar i karaktereve të shqiptarëve ka dal qysh në kohën ilire dhe betimi që sot bëhet në kishë nga popujt evropian e ka prejardhjen nga koha ilire”.

Sipas Salihajt, ky popull që sipas tij ka prejardhje ilire janë larguar nga trojet tona mijëra vjet më parë. “Është me rëndësi që ky popull është nda 2300 vjet më parë. Unë e kam videon ku thuhen këto fjalë që shpjegon”.

“Ata e përdorin Kalash, mund të ndodh që kanë qenë kalorës, ose prej kalas që ka qenë një popull që ka jetuar në kala dhe i kanë simbolet ilire. Ata e kanë edhe qenin ilir, qenin e Sharrit të cilin e kanë marrë me vete dhe e kanë ende aty”.

Ndonëse shqiptarët si pasardhës të ilirëve tani shumica janë besimtarë të feve monoteiste, sipas Salihajt, populli Kalash ende beson në perënditë ilire.

“Ata nuk janë as myslimanë e as të krishterë, ata besojnë në Perëndi që kanë besuar ilirët si te Zeusi dhe perënditë e tjera”, ka vazhduar Salihaj.

Gazetarët të habitur me “temën” e konferencës, nuk kanë mundur as të bëjnë pyetje.

Më vonë, Salihaj edhe ka botuar në profilin e tij në Facebook një video, që duket të jetë një reportazh i bërë nga një televizion i atjeshëm.

Të ngjashme