Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik konstatoi se helmimi i studentëve të Universitetit të Gjakovës u bë gjatë servimit të ushqimit.
Ushqimi i kontaminuar me bakterin Salmonella Enteritidis, e cila u gjet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës në ushqimin e studentëve të Konviktit “Sadik Stavileci” në Gjakovë, ishte shkaktar i helmimit të afro 50 studentëve banues të këtij konvikti.
Drejtoresha e Institutit Rajonal të Shëndetit Publik në Gjakovë Afërdita Bicurri tha për KALLXO.com se nga analizat që u janë bërë studentëve të helmuar të shtrirë në Spitalin “Isa Grezda” ka dalë se ata janë helmuar me bakterin Salmonella.
“Kemi marrë mostrat të cilat duhen të ekzaminohen për analizë mikrobiologjike, analiza ka zgjatë tre ditë dhe pas tre ditëve kemi arritë të izolojmë në feces Salmonellën, e cila ka qenë shkaktare e këtyre çrregullimeve, në të njëjtën kohë janë marrë mostrat edhe të ushqimit nga mensa ku ushqehen studentët dhe janë dërgu në Institutin Kombëtar të Shëndetit në Prishtinë,” tha Bicurri.
Gjetjen e Salmonellës në mostrat e ushqimit me të cilin u helmuan studentët e konfirmoi edhe epidemiologu Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike Fitim Raçi.
“Mostrat e ushqimit kanë qenë vezë, mish i grirë, mish i bardhë dhe ajvar. Kemi parë edhe dy mostra të ujit njëra ka qenë nga ujësjellësi dhe njëra nga një kovë e ujit që ka qenë aty të njëjtën ditë i kemi dorëzuar mostrat në institut dhe pas analizave të bëra ka rezultuar që nga ajvari është izoluar një bakterie patogjene që është Salmonela Enteritidis e cila normalisht nuk është dashur të gjendet në këtë artikull,” tha Raçi.
Ai tregoi se në mishin e grirë është gjetur edhe bakteri Escheria Coli, ndërsa shqetësuese për të është se helmimi ndodhi gjatë servilit të ushqimit.
“Të gjitha këto bakterie shkaktojnë çrregullime gastrointestinale, mirëpo ajo çka për neve ka qenë shqetësuese në 17 pacientë ka qenë e izoluar Salmonella e njëjta gjë ka ndodhur edhe me ajvarin i cili është mbajtë në konvikt .Kjo është koncidencë që nuk mundet me ndodhë çka tregon se në proces të servimit të ushqimit ka ardhur deri të kontaminimi i ajvarit,” tha Raçi.
Raçi ankohet se nuk kanë mundur të gjejnë asnjë mostër të salcës së bardhë-majonezit për të cilin janë ankuar studentët.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik pas gjetjes së baktereve ka rekomanduar ndalimin e konsumimit të ushqimit të atyre që banojnë në këtë konvikt, dezinfektimin e detajuar të të gjithë hapësirës dhe enëve të mensës së konviktit, renovimin e kuzhinës, ruajtjen e mostrave të ushqimit 72 orë dhe pajisjen e punëtorëve me uniforma dhe libreza sanitare.
Por drejtoresha e Arsimit në Gjakovë Diana Qarkaxhia tha për KALLXO.com se komuna nuk ka mjete për t’i plotësuar rekomandimet e institutit.
“Drejtoria e Arsimit nuk ka mjete të planifikuara për këtë vit shkollor që të bëjë investime, megjithatë jemi në negociata me TIK-ën turke e cila që nga fillimi i këtij viti na ka premtuar se do të bëjë renovimin e një të dytës së konviktit duke përfshirë edhe mensën e studentëve dhe jemi në pritje të negocimit të asaj kontrate,” tha Qarkaxhia.
Ajo bëri të ditur se nëse organizata turke nuk investon në konvikt e mensë, komuna me rishikim buxheti do ta kryejë renovimin rekomanduar për vitin shkollor 2016/2017.