Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka zyrtarizuar kandidaturën e Sami Lushtakut për kryetar të komunës së Skënderajt, raporton Ekonomia Online
Gjatë zyrtarizimit të kësaj kandidature, Krasniqi tha se Skënderaj i Prekazit të familjes Jashari është themeli i sakrificës për liri dhe mbetet qytet të veçantë në zemrat e secilit qytetar të Republikës së Kosovës dhe çdo anëtari të Partisë Demokratike të Kosovës.
“Jam i nderuar që jam sot në mesin tuaj, në qytetin që i ka dhënë Kosovës një burrështetas si Presidenti Hashim Thaçi, njeriu që ka shënuar epokën e Kosovës së lirë e të pavarur, i cili së bashku me Kryetarin Kadri Veseli dhe bashkëpunëtorë të tjerë, jo vetëm që përmbyllën projektin kombëtar të çlirimit, por edhe të pavarësisë dhe shtetndërtimit. Jam i nderuar të jem këtu me një nga protagonistët e luftës sonë për çlirim, njeriun tuaj, njeriun e Partisë Demokratike të Kosovës, kryetarin e ardhshëm të Skënderajt, Sami Lushtakun.”, tha ai.
Krasniqi theksoi se Skenderaj prej një qyteti të sabotuar nga regjimet e Jugosllavisë, pas luftës në qeverisjen e Partisë Demokratike të Kosovës është hapur, ndërtuar dhe zhvilluar dhe tani është koha që ky qytet të bëhet edhe kampion i zhvillimit.
“Jemi këtu për të parë nga e ardhmja. Partia Demokratike e Kosovës me kandidatin e saj, është e vendosur që ta mbështesë me vendosmëri transformimin e Skenderajt, në mënyrë që çdo qytetar i tij pa dallim, të bëhet pjesë e këtij transformimi. Me një qeverisje të re, me një vizion të ri e zhvillimor, me plane të matshme e të mundshme, ne do ta nxjerrim Skenderajn në tjetër nivel. Garanci për këtë, përveç planeve e projekteve dhe vizionit tonë është edhe kandidati ynë, i cili e njeh këtë qytet edhe si strukturë, edhe si përmbajtje. Prandaj ne jemi të vendosur që me fitoren në zgjedhjet e tetorit, ta shpërthejmë zhvillimin që i duhet këtij qyteti emblematik. Nga Murga në Radishevë, nga Padalishta në Krasmirofc, nga Buroja në Lubovec, qytetarët do ta shohin në vepër potencialin e qeverisjes tonë në katër vitet e ardhshme.”, tha ai.
Krasniqi u bëri thirrje qytetarëve të Skenderajt që ta përkrahin edhe kësaj herë kandidatin e PDK-së, Sami Lushtaku për ta përfunduar planin për ta bërë Skënderajn një qytet që Kosovën e bën krenare, jo vetëm për historinë e lavdinë, por edhe për modelin e zhvillimit.
Ndërsa, kryetari i Degës së PDK-së në Skënderaj, njëherësh kandidat për kryetar të Skënderajt, Sami Lushtaku falënderoi kryetarin Krasniqi dhe strukturat e PDK-së për besimin e dhënë për të qeverisur përsëri me Skënderajn.
“PDK-ja është vendosur t’ia kthejUnë jam shumë i nderuar dhe krenar që qytetarët e Skenderajt tash e 20 vite e mbështesin fuqishëm PDK-në. Jam krenar që edhe këto zgjedhje qytetarët e Skenderajt të bashkuar do të festojmë fitoren e madhe të radhës në tetor dhe do të vazhdojmë projektet për vazhdimin e zhvillimit të Skenderajt”, tha Lushtaku.