Samiti “PowerToHR” nxjerr në pah potencialin teknologjik dhe investues në Kosovë

Prishtinë | 06 Maj 2026 | 12:45 | Nga Ekonomia Online

Pjesëmarrja e bizneseve dhe profesionistëve nga rajoni dhe diaspora në samitin global dyditor “PowerToHR” në Kosovë ka vënë në pah potencialin për zhvillim teknologjik, rritje të investimeve dhe fuqizim të bashkëpunimit ndërmjet tregjeve, raporton Ekonomia Online.

Junika Dhima, shqiptarja e parë e punësuar nga Google në vitin 2004, tha se përvoja e saj shumëvjeçare dhe rikthimi në rajon kanë treguar rëndësinë e ndarjes së njohurive dhe krijimit të mundësive për zhvillim.

“Jam Junika Dhima jam shqiptarja e parë që u punësua nga Google në 2004-ën. Isha aty për gati 19 vite dhe pasi hapa biznesin tim përpara tre vitesh, fillova të kuptoja sa e rëndësishme është për shqiptarët, kosovarët, gjithë njerëzit e diasporës, për me sa mundësi të kemi të kthehemi dhe të japim mundësi të sqarojmë çfarë kemi mësuar. Çfarë kam parë si në Shqipëri dhe në Kosovë është që rinia dhe profesioni është shumë i lumtur për të mësuar teknologjinë, kështu që ajo është gjëja numër një që ka qenë shumë interesante. Numër dy, po shikoj që ka shumë investitorë që kanë interes në Shqipëri, kanë interes në Kosovë dhe ky interes vjen prej kapacitetit që kanë vendet tona. Edhe vendi i tretë dhe gjëja e tretë që dua të them është që AI po shikoj që ka një mundësi shumë për të mësuar dhe për ta përdorur AI-në që si Kosova, si Shqipëria gjithë bizneset kemi mundësi me shku akoma dhe më përpara”, tha ajo.

Ndërkaq, drejtuesi i “Digital Academy Albania”, Renado Cevili, vlerësoi rëndësinë e eventeve të tilla për zhvillimin e bizneseve dhe rrjetëzimin profesional.

“Ndihmojmë bizneset për të rritur prezencën digjitale dhe për të rritur shitjet e tyre përmes mediave sociale. Evente të tilla patjetër ndihmojnë shumë edhe bizneset, por edhe networking e profesionistëve që shikojnë mundësi dhe oportunitete me njëri-tjetrin për t’u zhvilluar, për t’u zhvilluar së bashku. Dhe ky event duket fantastik. Unë tani sot erdha dhe më duket që janë të gjitha sallat e mbushura edhe po i ndjekim me goxha vëmendje. Edhe temat janë goxha të larmishme, të ndryshme dhe po më pëlqejnë shumë. Oportunitetet dhe zgjerimi i networking patjetër gjeneron më shumë biznes për të gjithë dhe ofron më shumë mundësi për t’u zhvilluar, si për profesionistët e burimeve njerëzore, po ashtu edhe për biznese për të gjeneruar oportunitete, klientë më shumë, po edhe pse jo bashkëpunime në të ardhmen”, tha ai.

Ai theksoi se bashkimi i brendeve dhe profesionistëve në ngjarje të tilla krijon sinergji dhe hap rrugë për bashkëpunime konkrete.

“Në Shqipëri edhe në Kosovë ka brende që po bëjnë një punë të jashtëzakonshme edhe patjetër kur janë dhe evente të tilla që bëhen bashkë, mund të krijojnë sinergji dhe mund të shikojnë bashkëpunime për t’u zhvilluar së bashku patjetër. Mendoj që shqiptarët kanë talent. Ne kemi parë në të gjithë botën ka profesionistë, ka talentë që po shkëlqejnë në vende të tjera. Pse jo mos krijojmë mundësi që ata të vijnë, të investojnë në vendin tonë dhe të shikojnë ato oportunitete që të fuqizojnë si shembujt e tyre edhe shqiptarët dhe njerëzit tanë për t’i zhvilluar edhe për t’i marrë në arenë ndërkombëtare. Kemi parë sa shembuj të mirë, sidomos edhe në drejtimin e AI së fundmi. Pse mos të marrim edhe shembuj të tjerë? Kemi shembuj të tjerë për t’i fuqizuar dhe për të qenë më shumë krenarë që jemi shqiptarë”, tha ai.

Të ngjashme