Kremlini ka njoftuar se samiti në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin do të mbahet në Helsinki më 16 korrik.
Putin dhe Trump do të diskutojnë marrëdhëniet SHBA-Rusi dhe çështjet ndërkombëtare, ka njoftuar Kremlini sipas agjencisë së lajmeve TASS.
Shtëpia e Bardhë ende nuk e ka konfirmuar takimin, mirëpo Trump u ka thënë gazetarëve në Uashington më 27 qershor, se takimi ka mundësi të ndodhë pas samitit të NATO-s, që mbahet më 11-12 korrik.
Lideri amerikan ka thënë se dy presidentët do të diskutojnë për Ukrainën, Sirinë dhe “tema tjera” në takimin e tyre të parë.
Komentet e Trumpit para gazetarëve më 27 qershor në Uashington kanë ardhur pasi Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton, ka thënë në një konferencë për media në Moskë se Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini do të nisin një varg njoftimesh më 28 qershor për të treguar datën dhe vendin e takimit të dy liderëve.