Samsung sapo i tregoi botës çfarë shkoi keq me Galaxy Note 7. Por, përtej këtij lajmi mësuam një detaj shumë të rëndësishëm.
Shefi i divizionit mobil pranë Samsung konfirmoi për agjencinë e lajmeve Reuters se Galaxy S8-ta nuk do të mbërrijë në Kongresin Mobil Botëror.
Kjo është hera e parë pas katër vitesh që Samsung vendos të mos prezantojë telefonin flagship në Barcelonë. Galaxy S7, S6 dhe S5 debutuan në Barcelonë ndërsa S4 në Nju Jork.
Informacioni erdhi nga Dj Koh gjatë konferencës për shtyp dedikuar hetimit të Note 7. Ai vendosi të mos ofronte më shumë informacion rreth telefonit, i cili do të ringjallë shpresat tek Samsung.
Pritshmëritë janë të mëdha dhe kompania duhet ti bëjë konsumatorët të harrojnë atë çfarë ndodhi me Note 7.
“Mësimet që kemi nxjerrë nga ky incident janë thellë të integruara në kulturën dhe mënyrën tonë të të punuarit”, tha Koh për Reuters. “Samsung do të punojë fort që të rifitojë besimin e konsumatorëve”, vijoi ai më tej.
Sot Samsung konfirmoi se shkaku kryesor i baterive me defekt në Note 7 ishte dizajni. Kompania mori të gjitha përgjegjësitë duke hedhur poshtë çdo mundësi për hapjen e një procesi ligjore me prodhuesit e tyre.