Samsung Galaxy Fold ishte pothuajse i gatshëm për ta revolucionuar tregun, por disa probleme të caktuara u zbuluan në njësitë e hershme testuese të telefonave, gjë që e shtyri Samsungun ta shtyjë lansimin e tij. Kompania koreano-jugore duhej ta paraljmëronte datën e re të fillimit të shitjes së telefonit pas vlerësimit të problemit, por tani lansimi i pajisjes është shtyrë për një kohë të pacaktuar, raporton GSMArena.
Samsungu u dërgoi email atyre që kanë porositur Galaxy Fold, duke theksuar se po përparon në zgjidhjen e problemeve dhe se do t’i njoftojë informacionet e azhurnuara për livrimin në javët e ardhshme.
Paraporositë do të anulohen automatikisht deri në fund të muajit, përveç nëse blerësit në mënyrë eksplicite nuk kërkojnë diçka tjetër, ose Samsungu nuk arrin ta livrojë Galaxy Fold deri atëherë. Ata që e kanë porositur telefonin në çdo kohë mund ta anulojnë porosinë përpara livrimit të telefonit.