Sanchez rrëfehet për dështimin e tij në Man United

Prishtinë | 03 Sht 2019 | 10:17 | Nga Ekonomia Online

Alexis Sanchez nuk është penduar që u transferua në Manchester United, mirëpo ai la të kuptohet se ishte i irrituar që nuk zgjidhej rregullisht nga trajneri i “Djajve të kuq” për formacionin e parë.

Sulmuesi kilian e gjeti veten në një situatë të vështirë nga momenti që e kompletoi transferimin nga Arsenali gjatë afatit kalimtar të dimrit të vitit 2018, kur u shkëmbye me Henrikh Mkhitaryanin.

Përkundër që është një performues i dëshmuar në Premierligë, Sanchezi e pati të vështirë të lërë gjurmë në Manchester United dhe madje klubi anglez u kritikua për pagën dhe kontratën që ia ofroi kilianit.

Lëndimet e shumta dhe paaftësia për t’i plotësuar kërkesat e klubit të ri e lanë kilianin me vetëm pesë gola të regjistruar në 45 paraqitje.

Ky kontribut i vogël e shtyu Manchester Unitedin ta huazojë Sanchezin te gjiganti italian, Inter. Aty kiliani do ta testojë veten para se të merret një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij verën e ardhshme.

30-vjeçari, në një intervistë të dhënë për BBC Sport, foli për rrugëtimin që karriera e tij e mori gjatë kohës së fundit.

“Jam shumë i lumtur që shkova në Manchester United. Gjithmonë e kam thënë këtë. Është klubi që ka fituar më së shumti trofe në Angli. Kur unë shkova së pari në Arsenal, ishte fantastike – isha i lumtur edhe aty – por Manchester Unitedi po rritej në atë kohë, ata blinin lojtarë për të fituar”, tha Sanchezi.

“Unë dëshiroja t’u bashkohem atyre dhe të fitoja gjithçka. Nuk jam penduar që shkova atje”.

Përderisa është i bindur se e mori vendimin e duhur, Sanchezi ishte titullar në vetëm 31 ndeshje nga 77 të mundshme për Manchester Unitedit.

“Mendoj se jam i lumtur kur luaj për ekipin kombëtar. Isha i lumtur edhe me Manchester Unitedin, por gjithmonë u kanë thënë shokëve së dëshiroj të luaj më shumë. Nëse ata do të më linin të luaj, do ta jepja më të mirën time”, shtoi Sanchezi.

“Nganjëherë unë do të luaja 60 minuta dhe pastaj nuk luaja në ndeshjen e radhës – nuk e di pse”.

Sanchezi ende nuk e ka bërë asnjë paraqitje në sezonin e ri, 2019/20, pasi që u kthye në Manchester Unitedi me një lëndim që e kishte pësuar gjatë pjesëmarrjes me Kilin në Kupën e Amerikës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme