Sanduloviq lirohet nga paraburgimi, pas reagimit edhe të Këshillit të Evropës

Prishtinë | 15 Jan 2024 | 14:15 | Nga Ekonomia Online

Politikani opozitar serb, Nikolla Sanduloviq, është liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri, ka njoftuar avokati i tij.

Kundër Sanduloviqit rëndon akuza për “nxitje të urrejtjes kombëtare”, pasi ai ishte vendosur kurora lule mbi varrezat e familjes Jashari në Prekaz, shkruan Ekonomia Online.

“Vendimi vjen vetëm një orë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij”, ka shkruar në X, avokati Çedomir Stojkoviq.

“Vendimi për arrestimin e tij ishte një vendim politik urrejtjeje. Asaj i ka paraprirë edhe rrahja e Nikolla Sanduloviqit”, ka theksuar avokati.

“Vendimi për lirimin e tij për t’u mbrojtur kundër akuzës për ‘vënien e një lule në varrin e një fëmije shtatëvjeçar’ është gjithashtu drejtpërdrejt politik, sepse autoritetet në Beograd urdhëruan lirimin e tij për shkak të presionit në rritje të Perëndimit ndaj Serbia për shkak të këtij vandalizmi të dukshëm ndaj Sanduloviqit”.

Avokati i Sanduloviqit ka falënderuar Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Republikën Federale të Gjermanisë dhe të gjithë individët dhe grupet që kanë qenë aktivë në këtë rast të egër nga pushteti ekzekutiv dhe gjyqësor në Serbi.

Ai ka theksuar se prokurorja Irena Radivojeq dhe gjyqtarja Milica Grujiq do të hyjnë në analet e historisë së drejtësisë evropiane si një turp për qytetërimin evropian.

“Çdo jetë është e rëndësishme! Dhe jeta e një fëmije shqiptar, dhe jeta e një serbi që vuri një lule mbi varrin e atij fëmije. Dhe kushdo që mbështet ndëshkimin e këtij gjesti nuk ka të drejtë ta quajë veten evropian”, ka theksuar avokati Stojkoviq.

Ish-shefi i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, tha më 6 janar se Sanduloviqi ishte arrestuar me urdhër të tij, urdhër që sipas tij është në fuqi edhe pas dorëheqjes së tij.

Vulin tha për mediet serbe se arsye për arrestimin e tij ishte vendosja e kurorave me lule në fshatin Prekaz në Kosovë.

Zyra e Prokurorit në Nish kishte konfirmuar se Sanduloviqi ndodhej në paraburgim prej 5 janarit, nën dyshimet “se ka kryer vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme