Deputetja britanike shpreh shqetësimin për sigurinë dhe shëndetin e Nikola Sandulovicit

Prishtinë | 04 Jan 2024 | 22:02 | Nga Ekonomia Online

Deputetja britanike, Alicia Kearns, është shprehur e shqetësuar për shëndetin dhe sigurinë e politikanit serb, Nikola Sandulovic, pasi që i njëjti sot u rrah brutalisht nga BIA serbe.

Pasi publikoi pamje duke bërë homazhe te kompleksi memorial në Prekaz, politikani serb, Nikola Sandulovic, u rrah në Serbi.

Sandulovic fillimisht është arrestuar dhe pastaj është rrahur brutalisht nga BIA serbe.

Lidhur me këtë ka reaguar deputetja britanike, Alicia Kearns, duke thënë se është e shqetësuar për shëndetin dhe sigurinë e politikanit serb.

Ajo përmend parregullsitë në zgjedhjet që u mbajtën në Serbi, duke thënë se kaluan “butë” nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe BE.

“Tepër e shqetësuar për sigurinë dhe shëndetin e Nikola Sandulovic pas raportimeve se ai ishte brutalizuar nga inteligjenca serbe. Shumë parregullsi të vërejtura në zgjedhjet serbe rezultuan në vetëm shprehjet më të buta të shqetësimit kalimtar nga MB, SHBA dhe BE. Zbutja ka pasoja”, ka shkruar Kearns.

Familjarët e kryetarit të Partisë Republikane Serbe, Nikola Sandulovic, kanë thënë se ai është rrahur brutalisht nga policia sekret serbe në godinën e BIA-s.

Në mesin e personave të maskuar që e kanë rrahur, Sandulovic ka thënë se e ka njohur Milan Radojçiqin, ish-politikanin serb nga veriu i Kosovës, organizator i sulmit terrorist të 23 shtatorit në Banjskë.

Në pamjet që ka siguruar Ekonomia Online shihet politikani opozitar serb në gjendje të rëndë shëndetësore, derisa kthehet në shtëpi pasi ishte shtruar në Spitalin Ushtarak të Beogradit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme