Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, po merret në pyetje për të dytën ditë me radhë, në lidhje me akuzat se fushata e tij zgjedhore më 2007 ka marrë fonde nga regjimi i diktatorit të ndjerë libian, Muammar Qaddafi.
Pasi ka kaluar natën në shtëpi, Sarkozy është kthyer në stacionin e policisë në Nanterre, në veriperëndim të Parisit, për t’u marrë në pyetje nga zyrtarët e policisë anti-korrupsion.
Hetimi gjyqësor ka nisur në vitin 2013, pasi ueb-faqja franceze e lajmeve Mediapart ka publikuar akuzat e biznesmenit francezo-libanez, Ziad Takieddine, se ai ka transferuar 5 milionë euro nga ish-shefi i inteligjencës së Qaddafit, Abdullah Senussi, te shefi i fushatës së Sarkozysë.
Sarkozy, 63 vjeç, i cili ka qenë president nga viti 2007 deri më 2012, ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje.