Profesionalizmi nuk është i mjaftueshëm për ekipet italiane për të garuar në Evropë me klubet e mëdha e të pasura angleze, ka paralajmëruar trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri.
Maurizio Sarri beson se futbolli italian është më profesionist sesa ai anglez, mirëpo e pranon se dallimi në aspektin financiar mes dy vendeve e bën të vështirë për klubet e Serisë A të garojnë në Evropë.
Juventusi i Sarrit e vazhdoi me fitore 2:1 kundër Lokomotiv Moskës rrugëtimin drejt titullit të parë të Ligës së Kampionëve që nga viti 1996, përkundër që kishte qenë duke humbur 1:0 deri afër fundit të ndeshjes.
Klubi tjetër italian që luajti të martën, Atalanta, humbi 5:1 kundër kampionit në fuqi të Premierligës, Manchester Cityt, përkundër që e kishin shënuar golin e parë në stadiumin “Etihad”.
Ndërkohë, rivali i Juventusit për titullin e Serisë A, Interi, është në fund të Grupit F para se ta zhvillojë sonte ndeshjen kundër Borussia Dortmundit.
Raportet financiare të publikuara në janar të vitit 2019 bënë të ditur se gjashtë klube të Premierligës e përbëjnë listën me top dhjetë klubet që fitojnë më së shumti para në Evropë, ndërsa Juventusi radhitet i 11-ti.
Tani që është kthyer në vendlindje, pas një viti në drejtim të Chelseat, trajneri i Juventusit Sarri e sheh nivelin e pasurisë së klubeve të futbollit në Angli si një sfidë shumë e madhe për t’u kaluar për klubet italiane, transmeton Gazeta Express.
“Mendoj se jemi në të njëjtin nivel me skuadrat e tjera evropiane, edhe pse jemi prapa futbollit anglez për momentin në aspektin ekonomik. Fuqia e tyre janë paratë. Ata fitojnë katër herë më shumë sesa ne dhe ky është një përfitim i madh për të gjitha klubet”, tha Sarri.
“Mendoj se jemi më të mirë si profesionistë, mirëpo kjo nuk mjafton. Nuk e di nëse futbolli ynë mund të jetë garues në Evropë, mirëpo rrjedha po ndryshon. Mendoj se kjo është e mirë dhe shpresoj se skuadra jonë do të vazhdojë me të njëjtin menalitet gjatë këtij sezoni”.