Satya Nadella kundër “smart working” të përhershëm

Prishtinë | 18 Qer 2021 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Ka nga ata që thonë “Jo”. Microsoft e hedh poshtë hipotezën e një smart working të përhershëm, si modeli i Twitter. Këtë e konfirmoi për ‘New York Times’, CEO i kompanisë, Satya Nadella, sipas të cilit, kjo praktikë mund të sjellë pasoja negative. E para, humbja e marrëdhënieve njerëzore brenda kompanisë.

“Ajo që më mungon, deklaroi ai, është kur ju takoni dikë në zyrë, flisni me kolegun që keni pranë, jeni në gjendje të lidheni me kolegët dy minuta para dhe dy minuta pas takimit”. Këto dinamika vështirë se mund të përsëriten nëpërmjet një ekrani.

“Po djegim kapitalin social”

Arsyetimi i drejtuesit indian përqendrohet te marrëdhëniet njerëzore, më shumë se sa te puna, tek ato intervale të shkurtra, por të paçmueshme që i japin gjallëri përditshmërisë.

Microsoft i ka bërë mirë ballë ndikimit ndaj koronavirusit, duke e cilësuar “minimal” në llogaritë e raportit të fundit financiar. Pavarësisht emergjencës shëndetësore, çmimi i aksioneve të kolosit me seli në Redmond është rritur me 14% nga fillimi i vitit. Por paratë nuk janë gjithçka. Prej këtu lind skepticizmi i Nadella-s në lidhje me punën në distancë dhe vetëm. Në gjykimin e tij, arritjet e fundit nuk “duhet të festohen shumë” duke qenë se ekziston rreziku që “një dogmë do të zëvendësohet nga një tjetër”. D.m.th nga zakoni i të punuarit vetëm në zyrë, tek të punuarit vetëm në shtëpi.

“Çfarë do të ndodhte me shëndetin mendor” pyet ai në mënyrë retorike.

“Çfarë do të ndodhte me krijimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve në grup?

Në këtë fazë, ku një pjesë e madhe janë duke punuar nga shtëpia, ndiej se ndoshta po djegim një pjesë të kapitalit njerëzor që kemi ndërtuar”.

Një zëdhënës i kompanisë thotë se kompania ka planifikuar rikthimin në normalitet në tetor.

Filozofi të kundërta

“Po” smart working. “Jo”, smart working. Debati qëndron i hapur, veçanërisht te kompanitë teknologjike. Sidoqoftë, duhet të thuhet se për momentin, qasja mbizotëruese është pikërisht ajo e Microsoft-it.

Edhe Amazon, për shembull, ka vënë si afat tetorin, për rikthimin në punë të të gjithë punonjësve. Ndërsa Google dhe Facebook, synojnë ta bëjnë këtë në janar të vitit 2021. Ndërkohë, po bëhen parapërgatitje, edhe pse nuk ka një datë të caktuar, edhe nga kompania Apple.

Square, shoqëria e pagesave elektronike me seli në San Francisko, ka një filozofi të kundërt. Në një deklaratë ata thonë se “dëshirojmë që punonjësit të punojnë aty ku ata ndihen më krijues dhe produktivë”. Nga se buron ky vendim? Thjesht nga fakti që është krijuar dhe menaxhohet nga i njëjti administrator i deleguar i kompanisë Twitter, Jack Dorsey.

Të ngjashme