Sava Janjiq në gjuhën shqipe tregon si mund të zgjidhet problemi i rrugës Deçan-Plavë (Video)

Prishtinë | 25 Gus 2020 | 10:16 | Nga Ekonomia Online

Igumeni i manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, përmes një video mesazhi u është drejtuar qytetarëve të Kosovës rreth problemit lidhur me rrugën Deçan – Plavë.

Janjiq thotë se mbështet zhvillimin ekonomik të Komunës së Deçanit, mirëpo sipas tij, ndalimin e rrugëve në zona të tilla e ndalon edhe ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, i cili është miratuar nga Parlamenti i Kosovës.

Si zgjidhje më të mirë Janjiq e sheh vendimin e qeverisë i cili u mor në vitin 2014 për ndërtimin e rrugës nga Deçani për në Mal të Zi e cila kalon përreth Zonës, duke ndjekur pjesërisht luginën e Loçanit, për t’u lidhur me rrugën përgjatë lumit Lumbardh të Deçanit.

Mesazhi i plotë i Sava Janjiqit:

Përshëndetje

Po shfrytëzoj këtë rast për t’iu drejtuar qytetarëve të Kosovës që janë problematizuar në lidhje me çështjen e rrugës Deçan – Plavë, e cila kalon përmes zonës mbrojtëse të Manastirit të Deçanit.

Së pari, dua t’ju siguroj se ne, si qytetarë mbështesim plotësisht zhvillimin ekonomik të Komunës tonë dhe ndërtimin e rrugëve që lidhin njerëzit. Sidoqoftë, ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, i cili është miratuar nga Parlamenti i Kosovës, ndalon ndërtimin e rrugëve magjistrale nëpër zona të tilla. Në vitin 2014 (dy mijë e katërmbëdhjetë), Qeveria e Kosovës vendosi të bëjë një rrugë nga Deçan për në Mal të Zi e cila kalon përreth Zonës, duke ndjekur pjesërisht luginën e Loçanit, për tu lidhur me rrugën përgjatë lumit Lumbardh të Deçanit, në fund të Zonës Mbrojtëse.

Ky projekt është zgjidhja më e mirë, sepse do të ishte plotësisht në pajtim me ligjin e Kosovës dhe në të njëjtën kohë, zbatimi i tij, do të zhvendoste trafikun e rënduar, jashtë zonës që parashikohet me ligj si një zonë me natyrë të pashqetësuar.

Rruga ekzistuese që kalon përmes Zonës, mund të përfundojë më vonë si një rrugë lokale, me gjerësi dhe kufi shpejtësie përkatëse për karakterin e saj, si edhe duke parashikuar ndalimin e trafikut të rënduar në të.

Shpresoj fort që Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Deçanit do ta mbështesin këtë zgjidhje, e cila u sugjerua gjithashtu edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë. Në të njëjtën kohë, kjo zgjidhje do të ishte një themel i mirë për ndërtimin e sigurisë dhe promovimin e Manastirit të Deçanit si një trashëgimi kulturore botërore e UNESCO-s me ambient natyror të pacenuar, pa zhurmë, pa turbullira dhe pa rrugë të mbipopulluara. Rruga lokale përmes Zonës do të mbetet e gatshme për rekreacion dhe turizëm, si rruga ekzistuese që të çon në Manastir.

Jam i sigurt se do të ishte e mundur të përfundonte kjo rrugë lokale sapo të ndërtohet rruga që e rrethon Zonën. Përgjatë rrugës mund të shtohet gjelbërim me qëllim ruajtjen e karakterit të kësaj Zone, e cila është edhe parku Kombëtar i Bjeshkëve të Nemuna.

https://www.youtube.com/watch?v=6Eig7L3L0ag&feature=emb_title

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme