Sazani, në listën e “100 plazheve të arta”, vlerësime për ujin e kristaltë dhe klimën

Prishtinë | 05 Pri 2024 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Ishulli i Sazanit është vendosur menjëherë në vëmendjen e mediave ndërkombëtare pas publikimit të projektit të dhëndrit të ish-Presidentit Donald Trump për ngritjen e një resorti luksoz turistik.

Por jo vetëm për këtë, ishulli më i madh shqiptar është listuar mes plazheve më të mira në botë në atë që konsiderohet si renditja e “100 plazheve të arta” për vitin 2024.

Kjo renditje kategorizon jo vetëm bukuritë natyrore të destinacioneve turistike, por edhe stilin e jetesës, cilësinë e ujit, komunitetin që e rrethon, diversitetin natyror si dhe rëndësinë kulturore dhe historike.

Ndaj për ishullin e Sazanit thuhet se tashmë i hapur për turistët të mahnit me plazhet e tij të paprekura, ujërat e kristalta dhe një klimë të butë, perfekte për vizita verore.

Përzierja e bukurisë natyrore dhe historisë intriguese e bën atë një destinacion unik dhe tërheqës. Në përshkrimin për Sazanin nënvizohet se ai ka qenë një bazë ushtarake, pjesë e trashëgimisë së Luftës së Ftohtë edhe ku nuk mungojnë bunkerët e ushtrisë.

Sazani mban vendin e 79 në listën e 100 plazheve të arta që kryesohet nga plazhi i Bora Bora në Polinezinë franceze dhe mbyllet me Bahamasin./ Tv Klan

Të ngjashme