Qendra Amerikane e Solidaritetit me seli në Tiranë ka vazhduar bashkëpunimin e frytshëm me SBASHK -un me qëllim të forcimit të zërit sindikal dhe përgatitjes së sindikatës sonë për përballje të suksesshme me sfidat e shumta të kohës ashtu siç kishte bërë edhe në të kaluarën nëpër vite e dekada.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi Qendra Amerikane e Solidaritetit dhe SBASHK po organizojnë punëtori tematike me temat kyçe për rëndësinë e organizimit sindikal dhe për rëndësinë pse duhet të jetë një punëtor arsimor anëtar i SBASHK-ut.
Punëtoria e parë ka filluar të premten e 22 shtatorit me veprimtarë sindikalë nga Universiteti i Prishtinës, veprimtarë nga Prishtina, Lipjani, Podujeva e Fushë Kosova e komuna tjera për të vazhduar të shtunën e të dielen me veprimtarë edhe nga Mitrovica, Skenderaj e Vushtrria. Ky aktivitet do të vazhdojë edhe në komunat e Prizrenit ,Ferizajt, Pejës,Gjakovës,Gjilanit dhe gjithë komunat tjera të Kosovës.
Në hapje të këtij aktiviteti drejtori rajonal i Qendrës Amerikane të Solidaritetit Steven McCloud ka përgëzuar SBASHK-un për angazhimet duke u shprehur se edhe në të ardhmen do të vazhdohet me bashkëpunimin dhe aktivitetet e përbashkëta sindikale për ta forcuar edhe më shumë sindikalizmin dhe sindikatën.
Kryetari i SBASHK -ut Rrahman Jasharaj ka thënë se ky aktivitet do të përgatis kuadro sindikale që do të jenë zë i fuqishëm i SBASHK-ut duke mbrojtur të vërtetën e duke hedhur poshtë e me argumente ndonjë dezinformatë të qëllimshme të kujtdo qoftë.
Pas kësaj nënkryetarja e SBASHK-ut Vjollca Shala ka treguar për strukturën dje programin e SBASHK-ut dhe për rëndësinë për të qenë anëtar i sindikatës, kurse përfaqësuesja e Qendrës Amerikane e Solidaritetit ,Bruna Hylviu ka prezantuar përvojat sindikale në shumë vende dhe për disa nga angazhimet konkrete që duhet të bëjnë sindikatat në shërbim të anëtarësisë e duke forcuar kështu zërin sindikal.
Pjesë e këtij aktiviteti do të jetë edhe puna në grupe e udhëhequr nga koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri me temën për strategjitë për rekrutimin e anëtarëve të rinj.
Me tema e aktivitete të rëndësishme do të vazhdohet edhe në paraditën e së shtunës për të vazhduar ky aktivitet në pasditën e të shtunës dhe të dielën në Mitrovicë.