Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Kulturës në Kosovë (SBAShK), nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me disa nga partitë politike, para mbajtjes së zgjedhjeve nacionale të 11 qershorit.
Rrahman Jashari, kryetar i SBAShK-ut në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se pret që qeveria e re tu përmbahet premtimeve të dhëna.
Ai madje thotë se marrëveshjet u nënshkruan si garanci sepse siç thotë Jashari, qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa, nuk ka mbajtur as një premtim që u ka dhënë.
Sipas tij, qeveria në detyrë u kishte premtuar rritje të pagave, gjë që nuk ndodhi.
“Kjo ishte që ne ti kemi në letër premtimet e partive politike, dhe cilado nga to të vjen në pushtet ne të kemi në letër premtimin e tyre në mënyrë që nëse kjo nuk ndodh të plotësoj premtimin ne të ngremë lartë zërin tonë dhe t’i kritikojmë me të drejtë dhe me argumente në letër”, ka thënë Jashari.
“…herëve të tjera ka pasur premtime pompoze premtime të mëdha koalicionet kishin bërë premtime për rritje të pagave deri në ato shuma ku ne e kemi ditur që janë të pa arritshme dhe kur erdhi koha dhe u formua ashtu si u formua qeveria doli se nuk kishte asnjë lëvizje në paga”.
Jashari për Ekonomia Online, tha se të gjitha partive u kanë kërkuar një marrëveshje memorandumi.
“Kur jemi te kjo marrëveshje SBASHK-u i është drejtuar të gjitha partive garuese edhe PAN-it edhe LDK por edhe Vetëvendosjes”, ka shtuar ai.
Kurse sa i përket çështjes së Ligjit për mësimdhënësit e viteve të ’90-ta, Jashari ka thënë se ky ligj është gati por për shkak të gjendjes aktuale politike nuk ka arritur të shkoj në qeveri.
“Ne ishim shumë optimist se ai ligji do të shkonte në qeveri. Kemi marrë edhe mbështetje të fuqishme nga grupet parlamentare në parlamentin e kaluar. Me të arritur kjo marrëveshje këta mësimdhënës do të arrijnë titullin person i merituar për Republikën e Kosovës dhe pensionet nuk do të ishin sikur tash por me një vlerë tjetër por ata që kanë punuar në kohën e okupimit do të marrin 75% nga paga e arsimit fillor kurse ata që kanë punuar një deri në pesë vite në atë kohë do të marrin 65% të pagës në arsimin fillor”.
Ky ligj u garanton familjarëve të mësimdhënësve të cilët tashmë janë të vdekur të marrin pensionin për kontributin e tyre gjatë kohë së okupimit.