SBASHK: Qeveritarët s’kanë bërë asgjë për mësimdhënësit e sëmurë rëndë

Prishtinë | 05 Kor 2017 | 11:38 | Nga

Sindikata eBashkurar e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka kërkuar nga qeveritarët që të përfillin kërkesën e tyre për punëtorët e arsimit që vuajnë nga sëmundje të rënda.

SBASHK-u ka kërkuar që këta mësimdhënës të lirohen nga procesi arsimor dhe t’u jepen pensione dinjitoze.

“A mund të flitet për humanizëm të qeveritarëve lokalë e qendror kur ata nuk bëjnë asgjë për këta njerëz, që sa ishin shëndosh u munduan me tërë dijen të kontribuojnë për arsimimin dhe edukimin e brezave e tani me hapin e rënduar nga sëmundja shkojnë në shkollë se ndryshe do të mbesin pa bukën e gojës. Nuk janë shumë në numër këta njerëz dhe shteti me pak angazhime do të siguronte mjete e do t’i dërgonte në pushim të merituar duke ua siguruar një pension të dinjitetshëm”, thuhet në komunikatë të sindikatës.

SBASHK-u i ka akuzuar subjektet politike që udhëheqin në nivel lokale dhe qendror se kanë premtuar prioritet për arsimin vetëm për të marrë votat.

“Subjektet politike që ishin në pushtet, qoftë në nivelin lokal a qendror, arsimin e shpallnin prioritetet, por vazhdonin ta përdornin për të larë borxhin ndaj atyre që kishin vrapuar anë e kënd vendit për të siguruar vota duke i qerasur me pozita drejtorësh të shkollave”, thuhet më tej në njoftim.

Sindikata më tej shton se mësimdhënësit me sëmundje të rënda kanë nevojë për dorën e shtetit dhe i ka qujatur ironike deklratat për prioritetin në arsim.

“Nuk janë shumë në numër këta njerëz dhe shteti me pak angazhime do të siguronte mjete e do t’i dërgonte në pushim të merituar duke ua siguruar një pension të dinjitetshëm. Atyre pikërisht tani, kur sëmundja i ka rrënuar, u duhet dora e shtetit. U duhet ndihma që të jetojnë të qetë e të ndjehen mirë sepse dikush po mendon për ta. Është bërë ironik e bajat deklarimi “Arsimi është prioritet për shtetin. Duhet veprime dhe investime konkrete”, përfundon reagimi i SBASHK-ut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme