SBASHK-u përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj versionit final të projektligjit për pagat duke i bërë thirrje publike kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës që të mos ta votojnë ligjin për pagat sepse SBASHK-ut vazhdon të jetë degradues për sistemin arsimor.
“I nderuari Kryeministër Haradinaj, e nderuara Qeveri e Kosovës duke analizuar me kujdes versionin final të projektligjit për paga si dhe shtojcat 1 e 2 të tij, SBASHK-u është tepër i zhgënjyer me Ministrinë e Administratës Publike pasi që vërejtjet e argumentuara tonat edhe në kohën e Qeverisë Mustafa, por edhe tani në takimet me Ministrin Jagcilar , janë përfillur aq pak sa që ky projektligj vazhdon të jetë nënçmues degradues për arsimin në Kosovë e veçmas për punëtorët në Arsimin Parauniversitar dhe në administratën e arsimit në tërësi”, ka shkruar SBASHK-u.
SBASHK-u tha se ky projektligj kishte synim të harmonizonte pagat, gjegjësisht që për punën e njëjtë dhe ngritjen e njëjtë profesionale të jetë pagë e njëjtë, por nuk ka ndodhur as me versionin final të këtij Projektligji. Sistemi arsimor është i radhitur tepër ulët në tabelën e koeficienteve dhe i vlerësuar po ashtu tepër ulët. SBASHK-u ka kërkuar që koeficienti për mësimdhënësit e shkollave të mesme të jetë 2.70, për ata në arsimin special 2.6 dhe për mësimdhënësit e shkollave fillore 2.5.
“Se nuk është vepruar drejt ndaj sistemit arsimor po ofrojmë vetëm disa nga shembujt e shumtë. Bie fjala psikologu klinik është vlerësuar me koeficientin 3.4, kurse psikologu në shkollë me koeficientin 2. Apo mësimdhënësit e arsimit të mesëm të ulët e që kanë të kryer fakultetet gjegjëse e besa edhe master janë vlerësuar me koeficientin 2, ndërsa farmacisti, që po ashtu ka fakultet vlerësohet me koeficientin 3.4. Një vlerësim jo i drejtë i është bërë edhe drejtorëve të institucioneve arsimore. Kështu një drejtor i një shkolle që ka 100 të punësuar dhe gati 2000 nxënës është vlerësuar me 2.5, ndërsa një drejtori i një Qendre të mjekësisë familjare me koeficientin 4.7. Ka edhe shembuj të tjerë dhe tërë këtë ligj nuk kemi si të mos e vlerësojmë si tepër degradues e nënçmues të sistemin arsimor”, shkruan SBASHK-u.
“I nderuari Kryeministër Haradinaj, e nderuara Qeveri e Kosovës ka edhe shumë çka të thuhet për këtë ligj degradues ndaj arsimit dhe prandaj ju lusim që të mos e votoni, por ta ktheni nga ka ardhur, pra në Ministrinë e Administratës Publike dhe pastaj të bëhet pozicionim meritor edhe për sistemit arsimor. Kështu do të kontribuonim të gjithë në mirëvajtjen e vitit të ri shkollor e në të kundërtën SBASHK-u do të veprojë sipas zërit dhe kërkesave të mësimdhënësve të Kosovës”, shkruan në fund SBASHK-u.