Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), i ka reaguar ministrit Bytyqi në lidhje me meritat dhe lëvdatat që sipas tyre ministri po ia bënë vetës për Ligjin për mësimdhënësit e viteve të 90-ta, raporton Ekonomia Online.
SBASHK-u përmes një reagimi thotë se meritat i takojnë edhe kësaj sindikate që pati përplasje me përfaqësues institucionesh, me individ përgjegjës dhe me një pjesë të OJQ-ve.
Ata thonë se kjo u arrit pas përpjekjeve 5 vjeçare për të pasur një Ligj meritor që vlerësuan angazhimet sublime të punëtorëve të arsimit shqip në mbrojtje të arsimit, kulturës e artit tonë nga përpjekjet rrënuese të pushtuesit.
Reagimi i plotë:
Reagim i SBASHK-ut lidhur me deklarimet e Ministrit Bytyqi për Ligjin e viteve 90-ta
Punëtorët e arsimit dhe opinioni e di se kush dhe sa bëri për këtë Ligj
Mediet dhe opinioni janë dëshmitarët më korrekt të përpjekjeve, përballjes me sfidat e madje edhe të përplasjes së SBASHK-ut me përfaqësues institucionesh, me individ përgjegjës dhe me një pjesë të OJQ-ve, më përpjekjet 5 vjeçare për të pasur një Ligj meritor që vlerësuan angazhimet sublime të punëtorëve të arsimit shqip në mbrojtje të arsimit, kulturës e artit tonë nga përpjekjet rrënuese të pushtuesit.
SBASHK-u e ruajti kujtimin për mësuesin e viteve të 90-ta dhe pas shumë angazhimeve, takimeve me institucionet e deputetët arriti ta kthej në vepër premtimin ndaj atyre që në vitet e 90-ta mbrojtën dritën kundër errësirës. Punëtorët e arsimit e dinë se kush dhe sa bëri për këtë Ligj. Ata u shprehin mirënjohje vazhdimisht udhëheqësve të SBASHK-ut duke e konsideruar si fitore të madhe e të përbashkët, Ligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta.
SBASHK-u nuk ka dashur të flas, e as të lavdërohet për gjithë përpjekjet e mëdha lidhur me Ligjin e viteve 90-ta, por duke parë se Ministri Bytyqi dhe individë aty këtu po tentojnë që këtë Ligjj tepër domethënës ta kthejnë në merita e dekorata për vetën e tyre, SBASHK-u reagon duke kujtuar opinionin se ishte SBASHK-u, që me mund e sakrifica për 5 vite me radhë arriti të ndikojë pozitivisht të përgjegjësit që të punohet projektligji për vitet e 90-ta dhe që ai pastaj të kthehet në Ligj, Kjo u bë me mund e sakrifica. SBASHK-u do ta kujtoj me respekt angazhimin e cilit do nga përgjegjësit institucional. Do ta kujtojë e do të shprehë respekt gjithmonë për Kryeministrin Haradinaj, i cili e tha në takimet me SBASHK-un dhe e kthen premtimin në realitet edhe pse kishte kundërshtime nga disa përfaqësues ndërkombëtar e disa përfaqësues vendor a OJQ-ia, nuk u zbraps po e vuri në takimin e Qeverisë dhe Projektligji u votua për të vazhduar rrugëtimin drejt Parlamentit.
Mediet dhe opinioni e di se sa u stërgjatë debati publik mes dy leximeve, e di sa përplasjet kishin ndodhur, por përfaqësuesit e SBASHK-ut nuk u dorëzuan. Projektligji shkoi në leximin e dytë dhe faleminderit deputetëve që e votuan.
Ministri Bytyqi, që tani mundohet t’i vë vetit dekorata për Ligjin, gjatë gjithë kohës bëri fare pak, apo thënë saktë nuk bëri asgjë.
Sa u kujdes për mësuesin e viteve të 90-ta, Ministri Bytyqi e kanë parë mediet, punëtorët e arsimit dhe opinioni i gjerë. Ne po kujtojmë edhe një fakt, Ministri Bytyqi ka mundur tani e 4 muaj ta nënshkruaj Udhëzimin Administrativ, që mundëson fillimin e aplikimeve te punëtorëve të viteve të 90-ta, që janë pensionuar. Ai nuk e bëri me kohë as këtë veprim, po e priti momentin e fundit.
E Këshillojmë Ministrin Bytyqi dhe ca të tjerë të mos krenohen me frytet e punës së të tjerëve.