Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) thotë se gjysmë-vjetori i dytë është planifikuar të nisë të martën, më 10 janar, pavarësisht motit jo të mirë dhe temperaturave të ulëta.
Kështu ka thënë për Tribuna Channel, këshilltari i ministrit të Arsimit, Lah Nitaj. “Tani për tani nuk ka vendim për shtyrje”, ka thënë ai.
Por, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, kërkon të shqyrtohet mundësia e shtyrjes së mësimit shkaku i temperaturave polare që kanë mbërthyer Kosovën.
“Është mirë që të shikohet mundësia e shtyrjes së mësimi nëse do të kemi këso temperatura çfarë po paralajmërohen. Por, besoj që MAShT do të marrë vendimin më të mirë”, tha Jasharaj.