Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) paralajmëron Qeverinë e Kosovës dhe Kuvendin se afati i fundit për të përmbushur kërkesat e tyre është muajit tetor i këtij viti.
Në të kundërtën, kryetari i kësaj sindikate paralajmëron grevë të arsimtarëve.
Kjo sindikatë kërkon që Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve 1990/91 e deri në vitin 1998/99 të dërgohet në parlament për lexim të dytë dhe të votohet, por gjithashtu kërkojnë edhe ndryshimin e Projektligjit për Pagat.
Nga koeficienti 1.9, kërkojnë të bëhet 2.7 për mësimdhënësit e shkollave të mesme, 2.5 për ata të shkollave fillore dhe 2.6 për mësimdhënësit e shkollave speciale.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha për Kallxo.com se viti shkollor 2018/19 nuk do të fillojë me grevë sepse fillimisht janë të përqendruar në sistemimin e mësimdhënësve, sepse, siç thotë ai, çdo vit po zvogëlohet numri i nxënësve.
Por pavarësisht kësaj, Jashari thotë se SBASHK-u nuk do të rrijë i qetë pa u përmbushur kërkesat e tyre.
“Në fillim të vitit të ri shkollor nuk do të ketë greva, pra sa i takon SBASHK-ut viti i ri shkollor do të fillojë pa probleme ngase jemi të interesuar të shohim se si e sa janë sistemuar mësimdhënësit në Kosovë sepse ka frikë se për arsye të rënies së vazhdueshme të numrit të nxënësve mund të krijohen telashe edhe me normat prandaj do t’i shohim nga afër. Si dhe nuk duam që dikush të thotë se SBASHK-u e pengoi fillimin e vitit të ri shkollor, mirëpo kjo nuk do të thotë se kjo qetësi në arsimin e Kosovës do të jetë e tillë”, ka thënë Jashari.
Nëse institucionet e Kosovës nuk bëjnë aq sa duhet për ta dërguar në lexim të dytë projektligjin për statutin e punëtorëve të arsimit të viteve 90-ta atëherë SBASHK-u do të thërrasë grevë, thotë i pari i SBASHK-ut.
Ai madje theksoi se janë në pritje edhe të ligjit për pagat në të cilin kërkojnë nivelizimin e tyre dhe nëse edhe kjo nuk ndodhë, atëherë Jashari paralajmëron greva të arsimit parauniversitar dhe atij universitar.
“Po presim sinjale nga pushteti edhe për ligjin për pagat, SBASHK-u edhe në kohën e qeverisë Mustafa ka ngritur zërin ndaj këtij ligji i cili mendojmë se në këtë version është nënçmues ngase ishim në pozitë tejet të ulët dhe ishim krahasuar me pozitat në të cilat kërkohet vetëm arsimimi i mesëm. Ne kërkojmë që ky ligj të nivelizojë pagat dhe të jemi të barabartë me të tjerët. Nëse versioni i tashmë prezantuar i këtij ligji shkon për t’u votuar, atëherë nuk na mbetet asgjë tjetër vetëm të reagojmë me veprime të lejuara sindikale, pra edhe sistemin para universitar edhe atë universitar do t’i kemi në grevë.”, tha Jashari për Kallxo.com.
SBASHK-u i ka dhënë afat Qeverisë së Kosovës deri në fund të muajit tetor për përmbushjen e kërkesave të tyre, tha Jashari.
Ai beson se grevat e mbajtura deri tani ishin frytdhënëse sepse detyruan Qeverinë që të veprojë.
“Tetori do të jetë muaji kur do të japë përgjigje Qeveria dhe shpresoj të jetë pozitive sepse nuk e kanë vështirë ta analizojë propozimin tonë për ligjin e pagave sepse ne po kërkojmë të jemi të barabartë me të gjithë ata që kanë titujt të njëjtë akademik. Ne po obligohemi të bëjmë greva ngase pushteti po heziton t’i kryejë detyrat me kohë. Grevat tona kanë dhënë fryte më kujtohet viti 2015 kur pas grevës dy ditore arritëm pikën nga kontrata kolektive që ka të bëj me kompensimin 0.5 për çdo vit shërbimi jo vetëm në sektorin e arsimit. Greva që e bëmë këtë vit për projektligjin e mësimdhënësve të viteve të 90-ta dha një fryt fillestar ngase qeveria u angazhua më shumë”, përfundoi ai.
Jashari shtoi se beson deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta votojnë projektligjin për mësimdhënësit e viteve 90-ta në leximin e dytë sepse e ndjejnë obligim moral ndaj mësuesve të tyre dhe jo për shkak të presionit nga SBASHK-u.