SBAShK-u takohet me Haxhiun e AAK-së, diskutojnë për kërkesën e tyre për 100 euro shtesë

Prishtinë | 29 Dhj 2020 | 14:26 | Nga Ekonomia Online

Anëtarja e Komisionit parlamentar për arsim dhe zëvendëse e kryetarit të Grupit parlamentar të AAK-së, Teuta Haxhiu është takuar në ambientet e Parlamentit të Kosovës me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj dhe me ushtruesin e detyrës së nënkryetarit, Lutfi Mani.

Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë informuar Haxhiu lidhur me situatën në arsim dhe për shqetësimet e kërkesat legjitime të anëtarësisë, gjegjësisht e të punësuarve në sektin e arsimit të Kosovës. Ata janë ndalur veçmas të kërkesa e SBAShK-ut që Qeveria Hoti të mbështes me nga 100 euro shtesë në paga të gjithë të punësuarit në arsim duke ofruar argumente e fakte se edhe ata gjatë procesit mësimor janë përballur me pandeminë dhe numri i të prekurve nga Covid ka shënuar rritje të vazhdueshme.

Përfaqësuesit e SBAShK-ut e kanë njoftuar Haxhiu edhe për komunikimin dhe bashkëpunimin me MAShT-in dhe janë ndalur të punë e mirë që ka bërë komisioni i përbashkët për Kontratën Kolektive, i cili pas disa takimeve ka arritur të harmonizojë qëndrimet dhe ta punojnë Draftin final të Kontratës dhe tani SBAShK pret me arsye që ajo të nënshkruhet nga Ministri në MASh, Ramë Likaj dhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.

Kryetari Jasharaj ka lutur Haxhiu që t’ia përcjellë kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj kërkesën e SBASHK-ut për një takim falënderues për gjithë angazhimet e tij për arsimin sa ishte kryeministër e veçmas për kontributin e lartë lidhur me Ligjin për vitet e 90-ta.

Deputetja, anëtare e Komisionit parlamentar për arsim dhe zëvendëse e kryetarit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Teuta Haxhiu ka falënderuar përfaqësuesit e SBASHK-ut për këtë vizitë dhe ka dëgjuar me kujdes gjithë shqetësimet dhe kërkesat e prezantuara nga ata duke u shprehur se do të vazhdohet me takimet e bashkëpunimin në shërbim të ngritjes së cilësisë në arsim dhe në përpjekjet për realizimin e kërkesave legjitime të punëtorëve arsimor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme