SBAShK-u ka uruar të gjithë mësimdhënësit për 7 Marsin, Ditën e Mësuesit.
Sindikata e mësimdhënësve, thotë se në këtë ditë lartësohet kujtimi për mësuesit e parë të kombit, duke shtuar se janë ballëhapur ndaj nismave të reja në të mirë të mësuesit.
Ky është urimi i plotë i SBAShK-ut:
Të nderuar pishtarë të dijes , kolege e kolegë 7 Marsi është një datë e rëndësishme e kombit tonë që shënon nismën e betejave të mëdha të njerëzve të dijes në mbrojtje të dritës nga errësira. Në këtë ditë lartësojmë kujtimin për mësuesit e parë të kombit dhe shprehim respektin meritor për punëtorët e arsimit shqip nëpër vite, dekada e shekuj në shërbim të edukimit e arsimimit të brezave. Shprehim respektin e lartë dhe i përkulemi kujtimit për mësuesin e dëshmorin Shaban Jashari dhe për kolegët tanë që në vitet 90-ta mbrojnë arsimin dhe shkollën shqipe nga furtunat e pushtuesit. Ata me mund e sakrifica kanë vënë gurët themeltar të Kosovës shtet.
Të nderuar pishtarë të dijes në këtë 7 Mars jemi ballëhapur sepse pas shumë përpjekjeve e kemi Ligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta, i cili shpreh mirënjohjen dhe përkrahjen për gjithë ata që me kanë dhënë kontribut të lartë në shërbim të arsimit dhe atdheut.
Të nderuar pishtarë të dijes , kolege e kolegë bashkë e në SBASHK do të vazhdojmë rrugëtimin në përpjekjet e vazhdueshme për realizimin e kërkesave tuaja dhe në shërbim të një arsimi edhe më cilësor.
Gëzuar dhe urime 7 Marsi, kjo ditë e madhe e mësuesit dhe shkollës shqipe. Urime dhe e gëzofshim bashkë Ligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta.