Rrëmbimet e fundit të gjashtë shtetasve turq, të cilët thuhet se kanë lidhje me Lëvizjen Gylen në Kosovë, kanë konfirmuar rolin kryesor të ambasadave turke jashtë vendit në operacionet e inteligjencës dhe rrëmbimet ilegale të kundërshtarëve të cilët kanë qëndrim kritik ndaj regjimit turk të sunduar nga Presidenti autokratik Recep Tatyyip Erdogan.
“Stockholm Center for Freedom” (SCF) shkruan se sipas burimeve lokale në Kosovë, Ambasada turke në Prishtinë ka funksionuar si një qendër kryesore logjistike, planifikimi dhe ndalimi për operacionin e fundit nga Agjencia Kombëtare turke e Inteligjencës (MIT).
Megjithë deklaratat e bëra nga zyrtarët kosovarë, të arrestuarit u mbajtën për pak kohë në zyrën diplomatike turke ose në rezidencën e ambasadores Kıvılcım Kılıç. Misionet diplomatike janë të paprekshme dhe zyrtarët e sigurisë dhe nuk mund të hyjnë pa lejen e Shefit të Misionit, përcjell Telegrafi.
Fotografitë e mësuesve, të publikuara nga Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu Agency (AA), u morën në një dhomë para flamujve turq, duke pretenduar se mësuesit tashmë ishin sjellë në Turqi.
Erdogan është shumë i prirë të mburret me punën e paligjshme të MIT kundër anëtarëve të dyshuar të lëvizjes Gylen.
E përditshmja turke Cumhuriyet raportoi se fotografitë u morën në ambientet e ambasadës turke në Prishtinë nga AA pas arrestimit të tyre. Fotot duket se janë marrë nga një aparat fotografik profesional dhe pajisja në dhomë është rregulluar për të dhënë përshtypjen e një stacioni policor. Ndërsa, fotografitë fillimisht u publikuan nga AA, gazetari i saj në Prishtinë, Erkin Keçi, i cili ka shumë gjasa të jetë përfshirë në skandal, gjithashtu duhej të merrej në pyetje lidhur me vendndodhjen e mësuesve, shkruan “SCF”.
Zyrtarët theksojnë se flamujt në dhomë kryesisht përdoren në misionet zyrtare turke dhe ato nuk janë të llojit që zakonisht përdoren në stacionet e policisë në Turqi. Për më tepër, disa fotografi të ambasadores Kılıç, të huazuara nga faqja zyrtare e Facebook-ut të Ambasadës, mbështesin pohimin.
Madje është pohuar se fotografitë e mësuesve të rrëmbyer ndoshta janë marrë në të njëjtën dhomë me ato të ambasadores Kılıç. Kati, ngjyra e mureve, lloji i flamujve dhe polet e flamurit duken saktësisht të njëjta. Më e habitshmja në të gjitha fotografitë shfaqet gozhda në mur që mban pikturën e Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne.
Gjithashtu, burimet kanë pohuar se operacioni i paligjshëm në Kosovë është kryer nga Nurettin Canay Kavuncu, shefi i Zyrës së MIT në Kosovë. Thuhet se ai punon si Sekretar i Parë në Ambasadën Turke, si një agjent i fshehtë, së bashku me bashkëpunëtorin e tij Atakan Ertaş.
Sipas zbulimeve të gazetarit pro-qeveritar Cem Küçük, MIT ka krijuar një njësi të operacioneve të huaja vetëm për qëllime të tilla, siç janë: rrëmbimet dhe vrasjet.
Është pohuar gjithashtu se logjistika e një operacioni të tillë të paligjshëm dhe përdorimi i mjediseve të misionit diplomatik, nuk do të ishte e mundur pa lehtësimin e drejtpërdrejtë dhe lejen e Kıvılcım Kılıç, ambasadores turke në Prishtinë, në kundërshtim me mandatin e një misioni të huaj diplomatik sipas ligjit ndërkombëtar.
Sipas informatave të marra nga Qendra e Stokholmit për Liri (SCF), Yusuf Karabina, zëvendësdrejtor i Gülistan, gruaja e tij Yasemin Karabina dhe djali 15 vjeç u ndaluan nga policia e Kosovës në orën 8:30 të mëngjesit të së enjtes, shkruan “SCF”.
Familja Karabina thuhet se u rezistuan policëve, sepse ata mendonin se mund të ishin agjentë të organizatës famëkeqe të Inteligjencës Kombëtare Turke (MIT). Si rezultat, tre anëtarët e familjes Karabina thuhet se u rrahën nga policia gjatë ndalimit të tyre.
Gjithashtu, u mësua se profesori i kardiologjisë, Osman Karakaya, i cili u zhvendos në Kosovë për t’i shpëtuar persekutimit të regjimit të Erdoganit në Turqi, u arrestua nga policia e Kosovës të enjten në mëngjes.
Në të njëjtën kohë, Jusuf Karabina u dërgua në stacionin e policisë, Kahraman Demirez, drejtori i Kolegjit Mehmet Akif në Gjakovë dhe mësuesit Cihan Özkan e Hasan Hüseyin Günakan u arrestuan nga policia e Kosovës. Mustafa Erdem, drejtori i përgjithshëm i institucioneve arsimore të Gülistanit, u arrestua kur vizitoi stacionin policor për të marrë informacion rreth gjendjes së të ndaluarve, përcjell Telegrafi.
Deri më tani, një numër vendesh, përfshirë Arabinë Saudite, Malajzinë, Gjeorgjinë, Pakistanin, Sudanin dhe Mianmarin kanë dorëzuar akademikët, biznesmenët dhe drejtorët e shkollave me kërkesën e Qeverisë turke edhe përkundër faktit se disa prej këtyre viktimave tashmë kishin statusin e refugjatit.
Turqia i mbijetoi përpjekjes së diskutueshme të grushtit ushtarak më 15 korrik 2016, ku vranë 249 njerëz. Menjëherë pas grushtit, Qeveria e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) së bashku me Presidentin autokratik Recep Tayyip Erdogan e fajësuan Lëvizjen Gylen.
Fethullah Gylen, i cili frymëzoi lëvizjen, mohoi fuqishëm të kishte ndonjë rol në grushtin e dështuar dhe bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar mbi të, por Presidenti Erdogan – duke e quajtur përpjekjen e grushtit të shtetit ‘një dhuratë nga Perëndia’ – Qeveria filloi një pastrim të simpatizantëve të lëvizjes nga institucionet shtetërore, dehumanizimin e figurave të saj dhe burgosjen.
Turqia ka shkarkuar më shumë se 150 mijë gjyqtarë, mësues, policë dhe shërbyes të tjerë civilë që nga korriku i viti 2016.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, më 12 dhjetor 2017 njoftoi se 55,665 njerëz janë arrestuar. Më 13 dhjetor, ministria e Drejtësisë njoftoi se 169,013 njerëz kanë qenë subjekt i procedurave ligjore mbi akuzat për grusht shtet.
“Gjithsej 48.305 njerëz u arrestuan nga gjykatat anembanë Turqisë në vitin 2017 lidhur me lidhjet e tyre të dyshuara me lëvizjen Gylen”, tha me 2 dhjetor 2017, ministri i Brendshëm, Süleyman Soylu.
“Numri i arrestimeve është gati tre herë më i lartë”, tha Soylu dhe pohoi se “edhe këto shifra nuk janë të mjaftueshme për të zbuluar ashpërsinë e çështjes”.