Avokati i ish-kampionit të Formula 1, Michael Schumacher, ka zbuluar shkallën e lëndimeve, pas aksidentit të tij shkatërrues me ski, tre vjet më parë.
Felix Damm po fliste në një gjykatë në Gjermani në emër të familjes Schumacher, të cilët kanë paditur një revistë në lidhje me një histori që thoshte se 47-vjeçari mund të ecë sërish.
Schumacher pësoi një lëndim në kokë duke bërë ski në Alpet franceze në vitin 2013. Ai u dërgua në spitalin “Grenoble”, ku mjekët kryen dy operacione për shpëtimin e jetës si dhe e vendosi atë në një gjendje të detyruar në koma.
Ndërsa në një artikull në revistën gjermane “Bunte” thuhej se “Schumacher mund të eci sërish”. Por Damm mohoi me forcë se ylli kishte bërë një shërim të tillë, të mrekullueshëm.
Sipas “Mirror”, avokati i tij është shprehur se, “Michael nuk mund të ecë, madje nuk mund të qëndrojë në këmbë as me ndihmën e terapistëve specialistë”.
Familja Schumacher ka ngritur padi ndaj revistës gjermane, duke argumentuar për të drejtën e privatësisë së ish-kampionit. Ndërkohë pritet që në tetor të merret një vendim për këtë çështje.
Historia e revistës “Bunte” thuhet se ka përfshirë një koment të një shoku të Schumacher-it, i cili shkruante: “Michael është shumë i dobët. Por ai mund të ecë sërish me ndihmën e terapistëve. Ai mundet të bëjë disa hapa. Gjithashtu ai mund të ngrejë një krah”.